Thierry Henry ka përmendur katër lojtarë që, sipas tij, do të kishin qenë fitues të denjë të Topit të Artë, por duket se asnjëri prej tyre nuk do ta marrë këtë çmim.
Pavarësisht se ishte një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit të tij, Henry nuk e fitoi kurrë Topin e Artë – vendi më i lartë që arriti ishte i dyti në vitin 2003, pas Pavel Nedved.
Franci i fundit që e fitoi çmimin ishte Zinedine Zidane në vitin 1998, por 20 vite më vonë, Henry deklaroi se një bashkëkombas i tij duhej ta merrte këtë trofe pas triumfit të dytë të Francës në Kupën e Botës.
Henry përmendi Raphaël Varane dhe Antoine Griezmann si fitues të denjë, si dhe “yllin” Kylian Mbappé për kontributin e tij në suksesin e arritur nga skuadra e Didier Deschamps.
Por ai gjithashtu veçoi Eden Hazard, me të cilin kishte punuar gjatë kohës kur ishte pjesë e stafit të kombëtares belge.
“Mendoj se do të ishte turp nëse një lojtar francez nuk e fiton Topin e Artë, përveç Eden Hazard, sepse ai ishte i jashtëzakonshëm në çdo ndeshje të Kupës së Botës – në mbrojtje dhe në kundërsulm,” tha Henry për Sky Sports.
“Por logjikisht, një lojtar francez duhet ta fitojë. Pse jo Varane? Ai fitoi Ligën e Kampionëve, ishte shumë i fortë.
“Ka alienin (jashtëtokësorin) Kylian Mbappé, dhe gjithashtu Antoine Griezmann. Por mund të përmend edhe shumë lojtarë të tjerë.”
Griezmann përfundoi në podium pas një viti të shkëlqyer, ndërsa Luka Modric i dha fund dominimit të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos duke fituar Ligën e Kampionëve dhe duke ndihmuar Kroacinë të arrinte në finalen e Kupës së Botës.
Si Varane, ashtu edhe Hazard, janë tërhequr nga futbolli më herët se pritej për shkak të problemeve me lëndimet, ndërsa Griezmann vazhdon të jetë një lojtar i vlefshëm për Atletico Madrid, por nuk u përfshi në listën e shkurtër të Topit të Artë 2025.
Mbappé përfundoi i treti pas Messit dhe Erling Haaland në vitin 2023 dhe mbetet plotësisht i aftë ta fitojë çmimin, pasi shënoi 44 gola në sezonin e tij debutues te Real Madridi.
Megjithatë, ekziston ndjenja se 26-vjeçari mund ta ketë humbur momentin e tij ideal, duke pasur parasysh shfaqjen e yjeve të rinj si Lamine Yamal, Jude Bellingham, Vinícius Jr dhe Désiré Doué. /GazetaExpress/