Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke bërë thirrje për veprim të përgjegjshëm nga të gjithë aktorët politikë dhe arritje të një kompromisi të realizueshëm brenda afatit kushtetues.
“Ne e vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim procedural. Tani politikanët duhet të veprojnë në përputhje me të, në mënyrë që kosovarët më në fund të marrin parlamentin për të cilin kanë votuar para gjashtë muajsh,” thuhet në përgjigjen e Ambasadës për RTKlive.
Përfaqësia diplomatike gjermane në Prishtinë nënvizoi se pret një zgjidhje të mundshme dhe të qëndrueshme brenda afateve të përcaktuara, duke theksuar rëndësinë e kompromisit për të dalë nga kriza politike që ka bllokuar konstituimin e institucioneve.
Theksojmë se Gjykata ka nxjerr sot aktgjykimin e saj lidhur me situatën e krijuar në Kuvend.
Në njërën nga pikat e saj, Gjykata njofton se Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025.
Ajo gjithashtu ka shpallur të pavlefshme të gjitha seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025, duke konstatuar se ato janë zhvilluar në kundërshtim me një aktgjykim të mëparshëm të saj.