Sot Gjykata Kushtetuese ka dalë me një aktgjykim të ri rreth situatës së krijuar në Kuvend. Për dallim nga aktgjykimi i fundit i cili u vlerësua si jo edhe aq i qartë, ky i sotmi, është ‘qartë si loti’. Shkurtimisht, në të konstatohet se Avni Dehari, kryesues i seancës ka shkelur aktgjykimin e kaluar, votimi për kryetar të kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur, dhe se, seancat muajit të fundit janë të pavlefshme, shkruan Gazeta Express.
Gjykata në aktgjykimin e saj u tregua e qartë edhe sa i përket kandidatit për kryetar të kuvendit. Në vendim thuhet se VV-ja ka të drejtë të propozojë kandidatin e njëjtë vetëm deri në tre herë.
Vendimi i sotëm i Kushtetueses ka mbyllur çdo mundësi interpretimi, duke hedhur poshtë kështu qëndrime e deklarimet e ‘njohësve’ të VV-së për këtë çështjeve.
Gjatë javëve që kemi lënë pas, në një nga krizat më të mëdha politike viteve të fundit, kemi parë se VV-ja, interpretimet kushtetuese ia ka besuar më shumë njohësve të ekonomisë. Këtu pa dyshim në qendër të vëmendjes është Hekuran Murati.
Ky i fundit, edhe pse larg me fushën e studimeve, lirshëm dilte në konferenca e deklarime mediale, duke interpretuar aktygjykimin e kaluar të Kushtetueses në favor të VV-së. Ai përdorte atë për t’i sulmuar partitë e tjera, e duke u shprehur i bindur se VV ka të drejtë në votimin e fshehur.
“Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet. Të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në kryesi të Kuvendit’’, thoshte i bindur ekonomisti Murati për çështje Kushtetuese në një nga deklarimet e tija.
Në një tjetër deklarim ai thoshte se gjykata e ka dhënë qartë për votimin e fshehur.
‘‘Në shtjellimin e saj, Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë përgjigje se votimi i fshehtë është i lejuar apo jo”, thoshte ai. Përderisa po kaq i bindur shprehej ai në një tjetër koment ‘‘““Nga Gjykata Kushtetuese u vlerësua që është në përputhje të plotë me Kushtetutën votimi i fshehtë’’.
Pro votimit të fshehur është deklaruar edhe vetë ajo që ka dështuar me dhjetëra herë të marrë votat për kryetare të kuvendit, Albulen Haxhiu.
Ajo deklaronte se me votim të fshehur emri i saj do të shfaqet vetëm njëherë.
“Thashë që emri im do të shfaqet një herë fshehurazi, kështu që nuk do të ketë një herë të dytë. Nëse nuk marr gjashtëdhjetë e një vota, do të tërhiqem”, thoshte ajo.
Sigurisht pro votimit të fshehur është deklaruar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare ndaj votimit të fshehtë, kur dihet që më 14 shkurt qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar me votë të fshehtë, të lirë e demokratike, dhe e kanë bërë Vetëvendosjen fituese. Ne kemi 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, pra PDK plus LDK nuk e arrijnë shumicën që ka VV. Ky është fakt i jetës, fakt demokratik, me të cilin duhet të pajtohen”, kishte thënë ai në një nga deklarimet e tij.
Gjithë këto deklarata të Muratit e të tjerëve u hodhën poshtë nga Kushtetuesja sot. Siç u cek edhe më lartë e njëjta urdhëroi që votimi të jetë i hapur.
Përveç insistimit në votim të fshehur, anëtarë të VV-së kanë qenë po aq përkrahës edhe ndaj kryesuesit Avni Dehari, duke insistuar se i njëjti nuk ka shkelur rregulloren e as Kushtetutën, për dallim nga qëndrimi i partive të tjera.
Vetë Kurti thoshte se Kushtetuesja nuk e ka thënë asnjë gjysmë fjalie se Dehari e ka shkelur Kushtetutën.
“Në 47 faqe të aktgjykimit nuk mund ta gjeni asnjë gjysmë fjalie ku mund të aludohet lëre më të tuhet që Avni Dehair e ka shkelur Kushtetutën, andaj nuk ka bërë asnjë shkelje. Gjykata Kushtetuese e ka pasur shancin të thotë në këtë aktgjykim që Avni Dehari ka bërë shkelje, do duhej ta thoshte po të ishte ky rasti. Nëse e ka shkelur Kushtetutën Avni Dehari, është dashur ta thotë kushtetuesja në këte aktgjykim – por a e dini pse nuk e ka thënë, sepse nuk e ka shkelur”, tha Kurti.
Edhe këtë qëndrim të Kurtit, por edhe qëndrimet e njëjta si të tij që janë proklamuar nga VV-ja, i hodhi poshtë Kushtetuesja sot.
Nga Gjykata u tha se, Dehari ka vepruar nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116
‘‘TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;’’, thuhet në aktgjykim mes tjerash.
Ndryshe, ky vendim i Kushtetueses vjen pasi që kjo gjykatë muajin e kaluar më saktësisht me 24 korrik, vendosi që deputetët të mos ndërmerrnin asnjë vendim apo veprim deri më 8 gusht në lidhje me themelimin e Kuvendit. Masa e gjykatës hyri në fuqi nga 27 korriku.
Njëra nga lëndët që ishin dërguar në këtë gjykatë për të cilat e njëjta kishte kërkuar kohë për të nxjerr aktgjykim, kanë qenë nga Partia Demokratike të Kosovës, si dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti i janë drejtuar Kushtetues duke i kërkuar të njëjtës sqarime lidhur me konstituimin e Kuvendit. Më 3 korrik, Partia Demokratike e Kosovës kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kontestoi kërkesën e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë, hedhjen në votim të këtij Komisioni, vetë votimin e Komisionit, si dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, kishte thënë PDK.
Një ditë më vonë, më 4 korrik, deputetët e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Armend Zemaj, si dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, kishin dorëzuar lëndë në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, ndryshimin e ditës nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, të cilin e konsiderojnë se u bë në kundërshtim me rendin e ditës.
Lidhur me vendosjen e masës, Gjykata Kushtetuese kishte thënë se “ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
Përveç PDK-së e LDK-së, Kushtetueses me lëndë i ishte drejtuar edhe presidentja Vjosa Osmani. Edhe kjo e fundit i ka kërkuar sqarim gjykatës se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, kishte deklaruar Osmani në një konferencë për media.
Osmani kishte deklaruar edhe se “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”.
Duhet theksuar se para këtij vendimi, Kushtetuesja me 26 qershor kishte nxjerr një aktgjykim tjetër ku i ishte kërkuar deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, e që afati ishte deri me 26 korrik. Megjithatë një gjë e tillë s’u realizua.
Bllokada në Kuvend ka ekzistuar tash e disa muaj. Propozimi i VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dështuar të marrë votat e nevojshme. Partitë e tjera, PDK, LDK e AAK, kanë kërkuar ndryshim të kandidates. Telashe e mos pajtime ka pasur edhe të ndërrimi i formës së votimit të kryetarit. VV-ja këtu ka shtyrë përpara komisionin që mundëson votim të fshehur, porse, edhe ky si Haxhiu është kundërshtuar nga partitë e tjera. /GazetaExpress