Chelsea po shtyn për të nënshkruar me Alejandro Garnacho pasi ai është lënë jashtë nga Ruben Amorim te Manchester United.
Alejandro Garnacho mund të gjendet përballë një bisede të sikletshme me një shok të ri ekipi nëse largohet nga Manchester United për te Chelsea.
21-vjeçari ishte lidhur ngushtë me një lëvizje te Chelsea në merkaton e janarit, kur si “Blutë” ashtu edhe Napoli bënë kërkesa për të.
Një marrëveshje e tillë nuk u realizua, por sipas BBC-së, Garnacho ishte i bindur se transferimi do të bëhej dhe kishte një pritshmëri që ai gjithsesi do të bëhej lojtar i Chelseat.
Ish-lojtari i akademisë së Atletico Madrid u gjet plotësisht jashtë planeve të Ruben Amorimit te United pasi u ankua për minutat e pakta në finalen e Europa League kundër Spurs, ku hyri si zëvendësues në fund të ndeshjes.
Komentet e tij pas ndeshjes, të shoqëruara me deklarata nga vëllai i tij, bënë që Amorim ta linte jashtë për ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Aston Villa dhe t’i thoshte se më mirë të “lutej” për të gjetur një klub të ri.
Pasi u vendos në “skuadrën e bombave” bashkë me Marcus Rashford, Antony, Jadon Sancho dhe Tyrell Malacia, Garnacho tani duket i gatshëm për lëvizjen e madhe, teksa bisedimet mes dy klubeve vazhdojnë.
Sipas The Guardian, United e vlerëson Garnacho rreth 50 milionë £, megjithatë Chelsea shpreson ta marrë për një shumë më të ulët.
Dilema e numrit të fanellës për Garnacho te Chelsea
Nëse negociatat përfundojnë me sukses, Garnacho do të përballet me një dilemë lidhur me numrin e fanellës që do të veshë në “Stamford Bridge”.
Kjo sepse numri i tij i preferuar, 17, të cilin e ka mbajtur te United, aktualisht i përket mesfushorit brazilian Andrey Santos.
Santos u transferua nga Vasco da Gama për 13 milionë £ në vitin 2023 dhe pas huazimeve te Nottingham Forest dhe klubi partner Strasbourg, debutoi në qershor kur Chelsea fitoi Kupën e Botës për Klube në versionin e ri në SHBA.
Megjithëse Chelsea ka një mesfushë të mbushur me lojtarë, 21-vjeçari pritet të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Enzo Maresca-s për rikthimin në Champions League.
Santos ka deklaruar hapur se dëshiron “të luajë rregullisht dhe të jetë titullar i padiskutueshëm” — duke folur si dikush që nuk do të ishte shumë i lumtur të hiqte dorë nga numri i tij.
Numrat 7, 10, 11 dhe 14 janë të zënë te Chelsea, por numri 49 — numri i tij i parë te United — është i lirë.
Duke folur për situatën e Garnachos gjatë turit në SHBA, Amorim tha:
“E shihni që është i talentuar, është një djalë me shumë talent. Por ndonjëherë gjërat nuk funksionojnë. Nuk mund ta shpjegosh saktësisht se çfarë është, por kam ndjesinë se është e qartë që Garnacho dëshiron diçka tjetër me një lloj tjetër drejtimi.” /GazetaExpress/