SHBA shet jahtin rus që e sekuestroi – ka vlerë prej 325 milionë dollarësh - Gazeta Express
string(72) "shba-shet-jahtin-rus-qe-e-sekuestroi-ka-vlere-prej-325-milione-dollaresh"

Lajme

Gazeta Express

08/08/2025 8:40

SHBA shet jahtin rus që e sekuestroi – ka vlerë prej 325 milionë dollarësh

Lajme

Gazeta Express

08/08/2025 8:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shesin në ankand jahtin luksoz Amadea me vlerë 325 milionë dollarë (235 milionë euro), që është shitja e parë e një superjahti rus të sekuestruar pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.

Ankandi, që përfundon më 10 shtator, po mbahet ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump përpiqet të rrisë presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin për të përfunduar luftën. SHBA kanë njoftuar se bashkëpunojnë me aleatët për të ushtruar presion ndaj oligarkëve rusë – disa prej të cilëve janë të afërt me Putin dhe të cilëve u janë sekuestruar superjahtet – për të tentuar ta detyrojnë atë të ndalojë luftën.

Jahti, i gjatë 106 metra, i sekuestruar tre vjet më parë dhe ankoruar në San Diego, u ndërtua në vitin 2017 nga kompania gjermane Lurssen me porosi. Jahti ka një enterier me shumë mermer, tetë kabina të bollshme, sallon bukurie, qendër spa, palestër, heliport, pishinë dhe ashensor. Mund të strehojë 16 mysafirë dhe 36 anëtarë ekuipazhi.

Përcaktimi i pronësisë së vërtetë të Amadeas ka qenë i diskutueshëm për shkak të rrjedhës së paqartë të fondeve dhe kompanive Shell. Superjahti është regjistruar në Ishujt Kajman dhe është në pronësi të kompanisë Milemarin Investments Ltd., gjithashtu me seli në Kajman.

SHBA pretendojnë se pronari i jahteve është Sulejman Kerimov, ekonomist dhe ish-politikan rus, i cili u vendos nën sanksione në vitin 2018 për pastrim parash. Ndërkaq, Eduard Hudainatov, ish-president dhe drejtor i përgjithshëm i kompanisë shtetërore ruse të naftës dhe gazit Rosneft, që nuk është nën sanksione, ka pretenduar se është pronar i jahteve, raporton ap.

Prokurorët amerikanë thonë se Hudainatov është pronar në dukje i jahteve, me qëllim fshehjen e pronarit të vërtetë, Kerimov. Mosmarrëveshja për pronësinë e vërtetë të jahteve vazhdon. Përfaqësuesi i Hudainatov, në një deklaratë me email të mërkurën, tha se shitja e planifikuar e jahteve është “e papërshtatshme dhe e parakohshme”, pasi Hudainatov ka apeluar vendimin për konfiskim të pronës.

“Dyshojmë që kjo do të tërheqë ndonjë blerës racional me çmim të drejtë tregu, sepse pronësia mund dhe do të kontestohet në gjykata jashtë SHBA, duke ekspozuar blerësit në vite procese të shtrenjta dhe të pasigurta”, tha përfaqësuesi Adam Ford.

Jahti është në gjendje pothuajse të paprekur që kur Shërbimi Kombëtar Detar e mori nën kujdesin e vet në vitin 2022. Për të dorëzuar ofertë të mbyllur për të, ofertuesit duhet të depozitojnë 10 milionë euro, rreth 11.6 milionë dollarë, për t’u konsideruar.

Ford tha se Hudainatov do të kërkojë të ardhurat nga shitja e jahteve, vlera e të cilave vlerësohet në 325 milionë dollarë.

“Nëse qeveria vendos të vazhdojë vetëm për të ndaluar rritjen e kostove që i ngarkohen tatimpaguesve amerikanë, ne do të kërkojmë të ardhurat nga shitja dhe çdo diferencë nga çmimi i drejtë tregu kur të fitojmë në gjykatë,” tha Ford.

Paketa e ndihmës së SHBA për Ukrainën, e nënshkruar në maj 2024, i jep SHBA-së mundësinë të sekuestronte pronën shtetërore ruse që ndodhet në SHBA dhe ta përdorë atë për përfitimin e Kievit. /Telegrafi