Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundmi në Gjilan, ku një vajzë e mitur është rrahur nga disa moshatare të saj. Akti i dhunës është filmuar nga vetë të dyshuarat të moshës rreth 14-vjeçare, ndërkohë që viktima dëgjohet duke u lutur të lejohet të kthehet në shtëpi.
Derisa po qante, ajo është tallur dhe është detyruar të përsërisë më shumë se 10 herë fjalinë: “Të lutem, më lironi”. Pavarësisht lutjeve të saj, dhuna dhe poshtërimi ndaj saj kanë vazhduar.
Për rastin tronditës ndaj të miturës është në dijeni edhe Policia e Kosovës. Pamjet janë publikuar edhe në disa media.
Gazeta Express merr vesh se katër të dyshuarat janë identifikuar ndërsa njëra ndodhet në kërkim.
Sipas burimeve, rastin po e trajton prokurori i shtetit për të mitur.