Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar përsëri qeverinë për përdorimin e mbi gjysmë miliardë euro gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit 2025. Në një konferencë për shtyp, Berisha e cilësoi këtë si një aktivitet të jashtëligjshëm që synon manipulimin e votave të qytetarëve shqiptarë.
“Njëri nga aspektet më kriminale të farsës elektorale 11 maj 2025, ishte përdorimi i ngjarjeve, prokurimeve të cilat tejkalojnë mbi gjysmë miliardi euro për qëllime elektorale për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë. Në periudhën janar gjer në 11 Maj, periudhë në të cilën ligji elektoral, neni 91/3 i tij ndalon prokurimet, ndalon ngjarjet, aktivitetet, organizimin e tyre, aktivitetet që mund të kenë ndikim në zgjedhje dhe sipas raportit të OSBE-ODIHR, pikërisht në këtë periudhë u organizuan 4500 veprimtari kombëtarë dhe ndërkombëtare, përfshirë ‘Giro d’Italia’, 7 mln euro një organizate private ditën e votimit dhe një ditë para zgjedhjeve”, tha Berisha.
Në vijim, ai nuk e la pa akuzuar as kreun e SPAK, Altin Dumani.
“14.5 mln euro të ndaluara me ligj përdorimi i tyre dhe këto i ligjëron vetëm Altin Troplini, i cili bën mashtrimin publik se thotë nuk kemi prova dhe fakte. Për atë dokumentet zyrtar dhe aktet në shkelje flagrante të ligjit për interesa të partisë shtet, nuk përbëjnë vepër penale”, theksoi Berisha.