Ish-ministri i Mjedisit në Shqipëri, Lefter Koka ka lënë përkohësisht burgun e Durrësit. Kokës i është miratuar leje e kufizuar që zgjat nga ora 11:00 deri në orën 17.00. Kjo leje është firmosur nga Ministri i Drejtësisë dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve dhe kreu i burgut të Durrësit. Ish-ministri ka marrë lejen për arsye familjare, pasi e ëma është sëmurë, ndërsa do të jetë gjithë kohën i shoqëruar nga forca të shumta të policisë së burgjeve.
Gjykata e Posaçme, në prill të këtij viti, ka dënuar me 3 vjet burg ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka për inceneratorin e Tiranës. Koka do të vuajë 2 vite burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar. Bashkë me burgun që ka kryer, Koka nuk lejohet që të mbajë funksione publike për 5 vite.
SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës mes të cilëve edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi për Inceneratorin e Elbasanit.
Ish-ministri i Mjedisit ka dhe një dënim tjetër me 6.8 vite burg për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa për inceneratorin e Fierit, ku sërish është i përfshirë Lefter Koka, çështja është në rigjykim.