Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka folur lidhur me pritjet ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se zgjidhja e ngërçit politik duhet të vijë përmes respektimit të vullnetit të shumicës parlamentare.
“Zgjidhja e ngërçit politik që po kalojmë dhe parandalimi i krizave të ngjashme në të ardhmen, qëndron në respektimin e një parimi themelor demokratik: ai që ka shumicën në Kuvend, duhet të ketë të drejtën të formojë institucionet”, tha Xhaferi për Front Online.
Ai theksoi se ky parim vlen njësoj si për formimin e qeverisë ashtu edhe për Kuvendin, ku shumica duhet të zgjedhë kryetarin dhe strukturat drejtuese.
“Vetëm kështu do të sigurohet funksionimi demokratik i institucioneve dhe do të shmangen bllokadat politike”, deklaroi ai.
Duke komentuar mundësinë që Gjykata Kushtetuese t’u marrë mandatin disa deputetëve, Xhaferi tha se një gjë e tillë nuk është në kompetencat e saj.
Sidoqoftë, ai kërkoi që Gjykata të vlerësojë sjelljet që, sipas tij, përbëjnë tejkalim të kompetencave kushtetuese nga ana e Vetëvendosjes dhe drejtuesit të seancave.
“Nuk besoj që Gjykata Kushtetuese ka kompetencë për t’ua marrë mandatin deputetëve. Por ajo që mund dhe duhet të ndodhë, është që Gjykata të vlerësojë nëse është tejkaluar kompetenca kushtetuese nga ana e z. Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët për muaj të tërë kanë bllokuar funksionimin e Kuvendit”, tha ai.
Sipas tij, nëse konstatohet një tejkalim i tillë, Gjykata nuk merr mandatet, por mund të pamundësojë ushtrimin e funksionit drejtues të seancave nga individë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bllokuar institucionin.
“Kjo do të ishte një masë në përputhje me Kushtetutën dhe me nevojën për të rikthyer funksionalitetin demokratik të Kuvendit”, tha Xhaferi.
Xhaferi, ka komentuar protestën e paralajmëruar për mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si një pjesë të pandarë të historisë së çlirimit të Kosovës.
“Personalisht nuk jam në Kosovë, por mendoj se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë për çlirimin e vendit’’, tha Xhaferi.
Ai shtoi se kontributi i UÇK-së duhet të shihet në bashkëvlerësim me rrugën institucionale të rezistencës paqësore të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova.
“Së bashku me rezistencën paqësore të presidentit Rugova, të dy këto rrugë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e pavarësisë së Kosovës, në çlirimin e saj dhe në ndërtimin e një shteti demokratik, ashtu siç kemi synuar dhe siç kemi punuar ta ndërtojmë vendin tonë’’, tha ai.
Sipas deputetit të LDK-së, është e gabuar që lufta e UÇK-së të trajtohet jashtë kontekstit historik.
“Në këtë kontekst, mendoj se lufta e UÇK-së nuk duhet të trajtohet jashtë këtij kuadri historik. Ajo nuk mund të shkëputet nga kontributi që ka dhënë në procesin e çlirimit dhe në themelimin e lirisë së Kosovës’’, tha ai