Në Prokurorinë Themelore në Podgoricë, të mërkurën, janë marrë në pyetje zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Sipas autoriteteve, dëshmitë janë dhënë pas ankesës së Millatoviqit në polici se më 1 gusht Gjeloshaj i kishte dërguar mesazhe kërcënuese.
Gjeloshaj tha se para prokurorit ka mohuar të ketë kërcënuar presidentin e shtetit dhe sqaroi se është marrë në pyetje në cilësinë e qytetarit.
“Më vjen keq që (Millatoviq) na futi në këtë cirk – për qytetarët, për mua personalisht dhe për strukturën politike që përfaqësoj”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Millatoviq tha se, përveç mesazheve tashmë të raportuara, “kërcënimet kanë vazhduar edhe nga persona të afërt me Gjeloshajn”.
“Është e papranueshme që presidenti të kërcënohet gjatë ushtrimit të detyrës. Çfarë duhet të presin gjyqtarët kur japin vendime, apo prokurorët kur ngritin aktakuza?”, u shpreh Millatoviq.
Mesazhet e përmendura Gjeloshaj i kishte dërguar në ditën kur Millatoviq ia kishte kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme – një nismë e partive shqiptare, përfshirë Alternativën Shqiptare që drejton Gjeloshaj.
Pas kësaj, nga kjo parti i dërguan mesazh presidentit se “nuk është më i mirëpritur në Malësi”.
Gjeloshaj ishte kryetar i komunës së Tuzit – qendër e rajonit të Malësisë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët – deri në vitin 2023.
Presidenti Millatoviq i ka bërë thirrje kryeministrit, Millojko Spajiq, që të shkarkojë Gjeloshajn për shkak të kërcënimeve.
Qeveria ende nuk ka reaguar, ashtu si edhe partitë e shumicës parlamentare.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ktheu në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme, duke argumentuar se ai “cenon barazinë kushtetuese të qytetarëve” dhe vendos fermerët në pozita të pabarabarta, në varësi të komunës ku veprojnë.
Ai po ashtu theksoi se ligji përfshin dispozita me fuqi prapavepruese, gjë që ndalohet nga Kushtetuta e Malit të Zi.
Nga kabineti i tij theksuan se reagimi i zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj mund të jetë i lidhur me mosmarrëveshjet shumëvjeçare gjyqësore mes Komunës së Tuzit – të cilën më parë e drejtonte Gjeloshaj – dhe kompanisë shtetërore “13 Korriku – Pllantazhe”, lidhur me përllogaritjen e taksave për tokën bujqësore.
Më shumë se 70 për qind e tokës së kompanisë “Pllantazhe” ndodhet në territorin e komunës së Tuzit, e cila mbledh tatimin mbi pasuritë e paluajtshme në atë zonë.
Ligji në fjalë u jep komunave të drejtën të caktojnë vetë normën e tatimit për pasuritë që ndodhen në territorin e tyre dhe që përdoren për bujqësi. Për më tepër, ligji parashikon që këto rregulla të reja të zbatohen edhe në mënyrë prapavepruese, përfshirë rastet që janë aktualisht në proces gjyqësor.
Komuna e Tuzit dhe “Pllantazhe” janë përfshirë në një mosmarrëveshje gjyqësore që nga viti 2019, kur Gjeloshaj ishte kryetar komune. Kontesti u ngrit pas faturimit nga Komuna e Tuzit për më shumë se dy milionë euro tatim për një periudhë trevjeçare.
Gjykata vendosi në favor të kompanisë “Pllantazhe” dhe i urdhëroi komunës të kthejë shumën e mbledhur në mënyrë të paligjshme.
Nga “Pllantazhe” paralajmëruan se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, do të legalizohej praktika e mëparshme e Komunës së Tuzit për mbledhjen e taksave të larta.
Ndërkaq, partitë shqiptare që e kanë propozuar ligjin theksojnë se qëllimi është të mundësohet “një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave nga shfrytëzimi i territorit komunal”.
Pas vendimit të presidentit Jakov Millatoviq për të mos nënshkruar ligjin për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj i dërgoi disa mesazhe, të cilat Millatoviq i cilësoi si kërcënuese dhe i publikoi në platformën X (ish-Twitter).
“Nuk është dashur të futesh në këtë çështje. Tani prite reagimin e shqiptarëve nga të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim”, shkroi Gjeloshaj në një nga mesazhet.
Të njëjtën ditë, Gjeloshaj mohoi publikisht se i kishte bërë ndonjë kërcënim presidentit të shtetit.
Në të njëjtën kohë, ai e akuzoi Millatoviqin se kishte refuzuar ta nënshkruajë ligjin me qëllim “për të përfituar personalisht, bashkë me kumbarrën e tij”, por pa ofruar detaje konkrete për përfitimet e pretenduara.
Ashtu siç kishte paralajmëruar në mesazhe, pas refuzimit të ligjit erdhi një reagim i gjerë nga partitë dhe organizatat shqiptare në Mal të Zi.
Agron Dushaj, përfaqësues i partisë së Nik Gjeloshajt – Alternativa Shqiptare – e cilësoi refuzimin e presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për të nënshkruar ligjin për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme si “diskriminim në bazë etnike, racizëm e të tjera”.
“Do të ishte më mirë të të kishte sharë kumbarën në vend që të të shante e gjithë Malësia… dhe në Malësi më mirë mos u kthe, nuk do të të bëjë askush gjë, por nuk je i mirëpritur”, shkroi Dushaj në profilin e Millatoviqit në Facebook.
Ndërkohë, një nga propozuesit e ligjit, Artan Çobi, theksoi se ndryshimet ligjore kanë për qëllim t’u japin komunave “një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave që rrjedhin nga shfrytëzimi i territorit të tyre”.
“Duket se për disa është problem zhvillimi i mëtejmë i zonave ku jetojnë shqiptarët”, shkroi Çobi.
Më 18 korrik, zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, zhvilloi takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me drejtorin e FBI-së, Kash Patel, dhe të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, me qëllim – siç tha ai – “forcimin e marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe SHBA-së”.
Por nga kabineti i kryeministrit Milojko Spajiq u tha për gazetën Vijesti se Qeveria nuk kishte miratuar asnjë platformë për këtë vizitë.
“Të gjitha takimet eventuale që z. Gjeloshaj ka zhvilluar nuk janë realizuar në bazë të ndonjë mandati të dhënë nga Qeveria dhe, për rrjedhojë, konsiderohen si aktivitete private”, thuhet në reagim.
Vetë Gjeloshaj e cilësoi të pavend këtë qëndrim të Qeverisë, duke thënë se “procedurat formale janë të parëndësishme krahasuar me rëndësinë e vizitës”, dhe këmbënguli se ai ishte atje në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Qeverisë.
Një organizatë shqiptare që përfaqëson diasporën e Malësisë në Nju-Jork ka akuzuar presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për “veprimtari anti-shqiptare”, në një letër publike.
“Së bashku me vendimin për të mos nënshkruar ligjin, ky është një akt i qartë anti-shqiptar, i drejtuar drejtpërdrejt kundër Komunës së Tuzit dhe më gjerë – kundër komunave me shumicë shqiptare në Mal të Zi”, thuhet në letrën e tyre.
Ata njoftuan se për këtë çështje do të informojnë Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit si dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Pas përplasjes mes zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj dhe presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, Qeveria nuk ka reaguar zyrtarisht. Në vend të kësaj, Millatoviq publikoi një dokument të Ministrisë së Financave, në të cilin thuhet qartë se ligji për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme nuk duhet të miratohet, pasi dëmton fermerët dhe i vendos tatimpaguesit në pozitë të pafavorshme.
Presidenti u shpreh se dokumenti është dëshmi se Qeveria e ka ditur se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, por ka vendosur ta mbështesë atë gjithsesi.
“Pyetja është: çfarë do të bëjë Qeveria, kur e di që ligji është antikushtetues? Dhe a do ta miratojë Kuvendi i Malit të Zi sërish të njëjtin ligj?”, u shpreh Millatoviq, duke shtuar:
“Përfundimi: ata e dinin që ligji është antikushtetues dhe i dëmshëm për qytetarët. E megjithatë, e miratuan.”
Qeveria nuk ka reaguar as ndaj thirrjes së Millatoviqit drejtuar kryeministrit Milojko Spajiq për shkarkimin e Gjeloshajt.
Marrëdhëniet mes Spajiqit dhe Millatoviqit janë përkeqësuar prej pothuajse dy vitesh. Për shkak të këtyre përçarjeve, Millatoviq u largua në vitin 2024 nga partia Lëvizja Evropa Tani, të cilën e kishin themeluar bashkërisht.
Të dy e filluan karrierën politike si ministra në qeverinë e parë pas rrëzimit të pushtetit 30-vjeçar të Milo Gjukanoviqit në gusht të vitit 2020. Pas rënies së asaj qeverie, ata formuan Lëvizjen Evropa Tani në qershor të vitit 2022. Falë popullaritetit të programit ekonomik të kësaj lëvizjeje, me të cilin u rritën pagat, ata fituan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2023./REL