Shkruan: Kurt Gostentschnigg
Pas dështimit përfundimtar të bisedimeve mbi kompensime territoriale, të cilat Roma i pretendonte sipas nenit VII të marrëveshjes së Lidhjes Tripalëshe në vitin 1911 në rastin e pushtimeve ose aneksimeve të Austro-Hungarisë në Ballkan, më 23 maj 1915 Italia i shpalli luftën Monarkisë. Më 14 tetor 1915 Bullgaria, deri atëherë e kërkuar nga të dyja palët e luftës, hyri në luftë përkrah fuqive të mesme. Pretendimet e saja ndaj Maqedonisë ishin refuzuar gjithmonë si të papranueshme nga ana e Monarkisë, e cila ndiqte qëllimet e veta në këto territore. Megjithatë, për shkak të trysnisë së Berlinit, i cili, duke iu referuar qëllimeve të përgjithshme të luftës, hyri në një zonë interesash austro-hungareze, Vjenës iu desh të hynte në besëlidhjen e kryer më 6 shtator 1915 midis Gjermanisë dhe Bullgarisë, e cila ua premtoi bullgarëve Maqedoninë serbe dhe – në rastin e hyrjes së Greqisë dhe Rumanisë në luftë përkrah Antantës – Trakinë Lindore dhe Dobruxhën Jugore. Pas fushatës së suksesshme të tetorit kundër Serbisë, Austro-Hungaria, si ishte frika, ra në konflikt me Bullgarinë mbi zonat maqedonase të pushtimit. Ndërkohë Berlini kishte tërhequr miratimin e tij për zgjidhjen austro-polake, d.m.th. për aneksimin e Polonisë ruse në Monarki, sepse grupe interesash të forta ushtarake e ekonomike kërkonin një kontroll direkt gjerman mbi Poloninë dhe Austro-Hungaria nuk duhej të bëhej një fuqi e madhe e rangut të parë dhe e pavarur nga Gjermania. Por kjo do të kishte ndodhur, nëse Monarkia Danubiane do të kishte sunduar jo vetëm mbi Ballkanin Perëndimor, por edhe mbi Poloninë. Në bisedimet, të cilat zhvilloheshin në nëntor dhe dhjetor 1916 lidhur me formulimin e ofertës së paqes ndaj Antantës, Berlini shkoi madje aq larg sa të propozonte, për forcimin e influencës gjermane në Ballkan, ndarjen e Shqipërisë midis Bullgarisë dhe Greqisë, ku kjo e fundit do të fitohej me këtë si aleate. Por hëpërhë Gjermania i kishte bërë hesapet pa hanxhiun e përkohshëm në Ballkan. Nga dhjetori 1915 deri më janar 1916 trupat austro-hungareze pushtuan në mënyrë arbitrare Malin e Zi dhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, jo aq për t’i përndjekur trupat serbe bashkë me qeverinë e tyre, por më tepër për t’i dalë përpara – në garën për territoret shqiptare – Italisë, e cila mbante të pushtuar Vlorën dhe siguronte Durrësin për largimin e serbëve me anije luftarake, dhe Bullgarisë, e cila pushtoi Kosovën dhe çoi paratrupat e saja deri në Berat dhe Elbasan. Me këtë Vjena nuk e përfilli fare Berlinin, i cili deshi të kënaqej me sigurimin e lidhjes së furnizimit me Perandorinë Osmane, gjë që ishte arritur nëpërmjet pushtimit të Serbisë.
Koha e pushtimit në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore ishte e përcaktuar nga konflikti i përhershëm midis Shtatmadhorisë (gjerm. Armeeoberkommando, AOK) dhe Ministrisë së Jashtme (e ashtuquajtur „Ballhausplatz“) lidhur me çështjen, nëse territoret e pushtuara në Shqipëri duhej të aneksoheshin apo të transformoheshin në një protektorat të Monarkisë. Kundërshtarët kryesorë në këtë konflikt ndërministror ishin shefi i shtabit të përgjithshëm Franz Conrad von Hötzendorf dhe ministri i jashtëm Stephan Burián. Plani i Burián-it për Shqipërinë për kohën pas Luftës së Parë Botërore u miratua më 7 janar 1916 nga Këshilli i Përbashkët i Ministrave, i cili, në kuadrin e përcaktimit të qëllimeve të luftës, u vendos për kontrollin mbi Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Qëllimi kryesor ishte krijimi i një Shqipërie nominalisht të pavarur e të bashkuar si dhe mundësisht të zmadhuar etnike nën protektoratin efektiv të Austro-Hungarisë, për të shtrirë qëllimet austro-hungareze të luftës drejt jugut deri në rrugën e Otrantos. Për ta arritur këte, duhej shmangur përkeqësimi i marrëdhënieve të Monarkisë me popullin shqiptar, duhej larguar influenca e fuqive të tjera të mëdha, duhej shkaktuar tërheqja e Bullgarisë nga territoret shqiptare të Kosovës përfshirë Prizrenin dhe Prishtinën, duhej zgjeruar zona e pushtimit nëpërmjet sukseseve ushtarake dhe duhej marrë një vendim i përbashkët i Shtatmadhorisë dhe Ballhausplatz-it lidhur me dorëzimin e territoreve shqiptare të zonës së pushtimit në Mal të Zi – sidomos të Pejës – në favor të zonës së pushtimit në Shqipëri.
Conrad e kundërshtonte politikën e jashtme të Burián-it lidhur me Shqipërinë, duke mbrojtur pikëpamjen e aneksionizmit. Kontrolli mbi bregdetin lindor të Adriatikut dhe ruajtja e statusit të fuqisë së madhe të Monarkisë mund të garantoheshin vetëm nëpërmjet aneksimit të Shqipërisë së Veriut. Arkeduka Friedrich, drejtuesi i Shtatmadhorisë, i mbështeste planet e aneksimit të Conrad-it lidhur me Shqipërinë. Si pasojë komandantët lokalë austro-hungarezë në zonat e pushtuara të Shqipërisë vepronin kundër politikës së Ministrisë së Jashtme lidhur me Shqipërinë. Ata e injoronin pozicionin e Ballhausplatz-it që Shqipëria ishte një territor i huaj neutral, dhe e konsideronin Shqipërinë si një vend të pushtuar. Kështu ata urdhëronin sekuestrime të pakujdesshme dhe linin të rrëmbeheshin për plaçkitje të vendit. Kancelaria Ushtarake e Madhërisë së Saj e perandorit, në shumicën e kohës, i rrinte larg sherrit midis Shtatmadhorisë dhe Ballhausplatz-it.
Ministria e Jashtme nën drejtimin e Burián-it ndiqte qëllimin e përkrahjes së zhvillimit kulturor e ekonomik të Shqipërisë dhe të edukimit të popullit shqiptar për vetëqeverisje dhe ndërgjegje të bashkuar kombëtare. Qe Burián, i cili e propozoi August Kral-in për komisar civil në Shqipëri, d.m.th. për këshilltar të administratës ushtarake në të gjitha punët joushtarake. Perandoria Osmane aleate ishte dakord me politikën e Burián-it lidhur me Shqipërinë, me kusht që sundimtari i ardhshëm i Shqipërisë të vinte nga radhët e popullit shqiptar. Kjo do të thonte për Monarkinë luftimi përkatësisht eliminimi i atyre elementeve shqiptare, të cilat e përkrahnin Princ Wied-in. Burián ndërhynte gjithashtu për një trupë vullnetarësh në vend të detyrimit ushtarak, sepse ai nuk donte të cënonte parimin e pavarësisë dhe neutralitetit të Shqipërisë. Popullariteti aktual i Monarkisë nën popullsinë shqiptare si një kapital politik i fituar me djersë duhej ruajtur për bisedimet e ardhshme të paqes.
Conrad reagonte relativisht me qetësi ndaj kësaj, sepse ka të ngjarë se ai ishte i bindur se marrëveshja me Bullgarinë mbi kufijtë funksiononte dhe nuk mund të krijohej një Shqipëri etnike, derisa vendi ishte i ndarë në aq shumë palë luftuese. Përveç kësaj ai kishte dritë jeshile nga Kancelaria Ushtarake e perandorit, e cila ushtronte presion mbi Burián-in që ai të formonte një forcë ushtarake shqiptare si përkrahje për ushtrinë austro-hungareze në vend. Më 16 prill 1916 Conrad i shkroi perandorit se Bullgarisë do t’i lejohej të depërtonte deri në Adriatik, në qoftë se synohej ndarja e Shqipërisë dhe kjo do të thonte dëbimi i Italisë nga bregu lindor i Adriatikut, sepse pa arritjen e këtij qëllimi minimal lufta dilte absolutisht si e humbur për Monarkinë.
Dy ditë më vonë Conrad i dërgoi ministrit të jashtëm një raport të hollësishëm mbi Shqipërinë, në të cilin ai e quante planin e Burián-it për krijimin e një Shqipërie të bashkuar si gjithnjë e më shumë jorealist, duke marrë parasysh pamundësinë e një ofensive ushtarake kundër 65000 trupave italiane në Vlorë. Ai përpiqej të largonte Burián-in me argumente të forta nga plani për krijimin e një Shqipërie, e cila, sipas tij, nuk ishte e aftë të mbijetonte, as nën protektoratin e Austro-Hungarisë, dhe ta fitonte atë për aneksimin e territoreve të pushtuara. Conrad ishte i mendimit se asnjë nga të katër shtetet, të cilat kontrollonin territore shqiptare, nuk do të hiqte dorë nga territoret e pushtuara. Ata, sipas tij, kishin synime të mëtejshme kundrejt Shqipërisë si për shembull Bullgaria, e cila pretendonte një port adriatik. Prandaj një Shqipëri e pavarur nuk mund të krijohej pa një luftë të re të Monarkisë, gjë, të cilën ajo për hir të Shqipërisë nuk mund dhe nuk do t’i lejonte vetes. Gjithmonë sipas tij, shqiptarët gjendeshin në nivelin më të ulët të qytetërimit, ishin dembelë dhe hajdutë. Për këtë arsye zbatimi i politikës së Burián-it lidhur me Shqipërinë nënkuptonte sakrifica të kota për një popull të pabashkuar dhe të papjekur nga ana politike dhe kulturore. Një Shqipëri e tillë nën protektoratin austro-hungarez ishte një rrezik i përhershëm për Monarkinë, përpinte shuma të mëdha parash, krijonte shkas për konflikte të brendshme dhe bëhej preja e fqinjëve. E vetmja zgjidhje e çështjes shqiptare ishte aneksimi i territoreve të pushtuara të Shqipërisë. Kështu silleshin rregull dhe disiplinë tek fiset e egra të malësisë dhe eliminoheshin ndikimet armiqësore të bullgarëve, grekëve dhe italianëve. Marrëveshja e kufijve me Bullgarinë, sipas Conrad-it, shërbente si pengesë për influencën e Sofjes në pjesën tjetër të Shqipërisë. Qëllimi i përcaktuar ushtarak, dëbimi i italianëve nga Vlora, nuk arrihej as në mënyrë direkte, d.m.th. ushtarakisht, as në mënyrë indirekte, d.m.th. diplomatikisht. Prandaj pranimi i ndihmës së Bullgarisë ishte e keqja më e vogël.
Plani i Conrad-it për pushtimin e Vlorës dhe dëbimin e italianëve ishte i papajtueshëm me planin e Burián-it për krijimin e një Shqipërie të pavarur e të bashkuar. Ministri i jashtëm u kundërpërgjigj me argumentin se një aneksim do t’i rriste shpenzimet dhe rrezikun në vend që t’i ulte ato. Të ndahej Shqipëria para përfundimit të luftës do të barazohej me heqjen dorë nga një pjesë e sferës së pritur të interesave të Monarkisë në bregun lindor të Adriatikut. Për shkak të situatës së përgjithshme të luftës shefi i shtabit të përgjithshëm nuk ishte në gjendje të dërgonte trupa më të mëdha në Ballkan për të pakësuar në mënyrë të konsiderueshme fuqinë rritëse të Ballhausplatz-it. Me mbështetjen e drejtuesit të Shtatmadhorisë Conrad iu kundërvu në prill 1916 synimit të Burián-it për të bashkuar territoret shqiptare të Malit të Zi me Shqipërinë. Arkeduka Friedrich ishte i mendimit se faktet në vend flisnin kundër idesë së Burián-it lidhur me një protektorat dhe se ushtria duhej të paguante me gjakun e saj zbatimin e planeve jorealiste të kufijve. Sipas tij ishte më mirë të pritej rezultati i luftës, i cili do të vërtetonte pikëpamjen e Shtatmadhorisë.
Këmbëngulja e Burián-it për planin e tij çoi në përkeqësimin e marrëdhënieve midis Ballhausplatz-it dhe Shtatmadhorisë. Conrad e kufizoi në mënyrë masive komunikimin e Ministrisë së Jashtme me komisarin civil Kral. Si rrjedhim Burián i dërgoi Shtatmadhorisë një qortim për shkak të shkeljes së të drejtave të përfaqësuesit të Ballhausplatz-it në Shqipëri. Ai shpjegoi se krijimi i një protektorati ishte zgjidhja më e mirë e çështjes shqiptare dhe barazohej me ushtrimin e influencës mbi këtë komb vital në një zonë gjeostrategjike me avantazhet më të mëdha dhe disavantazhet më të vogla. Ministria e Jashtme, sipas tij, ishte e vendosur të përcaktonte vendimgjetjen e ardhshme politike dhe të merrte përsipër përgjegjësinë e plotë lidhur me këtë. Ne rast se Shtatmadhoria i largohej kësaj vije, atëherë ajo do të ishte përgjegjëse për të gjitha gabimet. Përgjigjja e Shtatmadhorisë qe përçmuese dhe sipërfaqësore. Korpusi i 19-të në vend vazhdonte të vepronte në të njëjtën mënyrë si deri atëherë. Oficerët më të lartë flisnin për një aneksim të vendit dhe ushtarët e konsideronin vendin si “vend të pushtuar”. Komanda e korpusit e përcaktoi më 3 qershor 1916 lumin Shkumbin si vijën e demarkacionit dhe Shqipërinë e Jugut vetëm si një sferë interesash.
Me pak fjalë mund të thuhet se ministri i jashtëm Burián, shefi i shtabit të përgjithshëm Conrad dhe kryeministri hungarez István Tisza kanë qenë bartësit kryesor të vendimmarrjes lidhur me qëllimet e luftës, sepse perandori dhe Kancelaria e tij Ushtarake janë përmbajtur. Vërtet Conrad, Burián dhe Tisza ndiqnin qëllime të ngjashme të përgjithshme në politikën e jashtme – hegjemoni në Ballkan, kontroll mbi Adriatikun lindor, solidaritet i brendshëm –, po kishin strategji shumë të ndryshme për arritjen e tyre. Me mbështetjen e Këshillit të Përbashkët të Ministrave Burián mbronte vendosjen e një protektorati mbi një Shqipëri të pavarur, bashkëngjitjen e territoreve për Shqipërinë dhe shkëputjen e sanxhakut nga Mali i Zi, jo vetëm për të përkrahur projektin gjeostrategjik në bregun lindor të Adriatikut dhe në Ballkanin përendimor në favor të ruajtjes së statusit të një fuqie të madhe të Monarkisë, por edhe për të forcuar homogjenitetin kombëtar të Shqipërisë dhe për të siguruar mbijetesën e fisit katolik pro-austro-hungarez në kufi Këlmendi. Shtatmadhoria dhe komanda e korpusit në Shqipëri kishin kontrollin operacional dhe si rrjedhojë një avantazh afatshkurtër, mirëpo Ballhausplatz mbante gjithmonë kontrollin e përgjithshëm mbi bërjen e politikës, kështu që Conrad nuk mund të realizonte planin e tij të aneksimit të territoreve të pushtuara në Shqipëri dhe të eliminimit të Italisë në Shqipërinë e Jugut, i cili duhej të kryhej gjatë luftës me ndihmën bullgare.