Nga tërheqja nga Kushtetuesja te kritikat për Gjykatën Speciale, krejt çka tha dje Osmani në konferencë për media - Gazeta Express
string(112) "nga-terheqja-nga-kushtetuesja-te-kritikat-per-gjykaten-speciale-krejt-cka-tha-dje-osmani-ne-konference-per-media"

Lajme

Gazeta Express

06/08/2025 7:49

Nga tërheqja nga Kushtetuesja te kritikat për Gjykatën Speciale, krejt çka tha dje Osmani në konferencë për media

Lajme

Gazeta Express

06/08/2025 7:49

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur dje se ka tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese, që lidhej me interpretimin për seancën konstituive të Kuvendit. Në një konferencë për media të martën, ajo deklaroi se vendimi për të tërhequr kërkesën erdhi pasi gjyqtari serb Radomir Laban u caktua si raportues në këtë çështje.

Sipas Osmanit, ky gjyqtar është identifikuar nga institucionet e sigurisë së Kosovës si person që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, bazuar në raportet e viteve 2018, 2021 dhe 2024.

“Kjo tërheqje ishte e domosdoshme. Është e papranueshme që rendi kushtetues i Republikës së Kosovës të mbrohet nga dikush që, sipas institucioneve tona të sigurisë, e rrezikon atë rend”, deklaroi presidentja.

Ajo sqaroi se gjyqtari Laban është emëruar në vitin 2018 dhe se procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses është e ndërlikuar, pasi kërkon votën e dy të tretave të anëtarëve të Gjykatës, çka nuk i jep Presidencës mundësi për ndërhyrje të drejtpërdrejtë.

Osmani u bëri thirrje deputetëve që, pas shpalljes së aktgjykimeve në rastet e iniciuara nga PDK dhe LDK, të kërkojnë sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetuese nëse mbeten paqartësi.

“Deputetët e Republikës së Kosovës kanë mandat të plotë për t’iu drejtuar Kushtetueses, veçanërisht pas vendimeve që do të publikohen. Shpresoj që për çështje kaq delikate të mos përcaktohet sërish i njëjti gjyqtar si raportues”, u shpreh ajo.

Presidentja theksoi se nuk do të inkurajonte asnjë institucion të linte një çështje në duart e Kushtetueses nëse raportuesi do të ishte një figurë e dyshimtë për sigurinë kombëtare.

Presidentja Osmani komentoi edhe mbi punën e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar shqetësues faktin që ajo pranon materiale dhe prova të dërguara nga Serbia.

“Është jashtëzakonisht problematike që një gjykatë e krijuar nga Kosova të pranojë prova nga një shtet si Serbia, që ka prodhuar sistematikisht materiale të falsifikuara kundër popullit shqiptar dhe UÇK-së. Këto janë përpjekje për të rishkruar historinë”, tha Osmani.

Ajo nënvizoi se institucionet e Kosovës kanë ngritur zyrtarisht shqetësime për përdorimin e këtyre provave dhe bëri thirrje për unitet në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Presidentja Osmani kishte dorëzuar në Kushtetuese një kërkesë për interpretimin e pasojave në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor. Kjo kërkesë erdhi pas përfundimit të afatit më 26 korrik, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme që ndalon veprimet e mëtejshme të deputetëve deri më 8 gusht.

Aktualisht, Gjykata është duke shqyrtuar kërkesat e dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.