Serbia ka nisur një luftë të ashpër propagandistike përmes dokumentarëve, duke pretenduar se diplomatë dhe akademikë bullgarë janë pjesë e një rrjeti të fshehtë spiunazhi që synon destabilizimin e vendit dhe rrëzimin e presidentit Vuçiq përmes një “Revolucioni me Ngjyra”. Pretendimet serbe vazhdojnë edhe ndaj Universitetit të Nishit. Pas Bullgarisë, dokumentari vazhdon me akuza të ngjashme edhe ndaj përfaqësive diplomatike të Kroacisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe SHBA-ve, duke i përshkruar si mbështetëse të “agjentëve të brendshëm” që synojnë destabilizimin e Serbisë
Disa media serbe kanë publikuar një dokumentar të ashtuquajtur “hulumtues”, në të cilin bëhen pretendime serioze për përfshirjen e Bullgarisë në një rrjet të gjerë spiunazhi dhe destabilizimi, që sipas tyre, ka për qëllim rrëzimin e presidentit Aleksandër Vuçiq përmes një të ashtuquajturi “Revolucion me Ngjyra”.
Në serinë e parë të dokumentarit me titull “Komploti Universitar”, Bullgaria përmendet si vendi kryesor që qëndron pas “institucionalizimit të sulmeve dhe dehumanizimit” të Vuçiqit.
Në fokus është vendosur Universiteti i Beogradit dhe konkretisht rektori i tij, Vladan Gjokiq, i cili, sipas autorëve serbë, është një nga figurat udhëheqëse të protestave të fundit në vend. Protestat shpërthyen pas një tragjedie në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona nga shembja e një stacioni treni. Rektori është cilësuar me terma ofendues si “tradhtar” dhe “agjent i huaj”.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, në deklaratat e tij publike, e ka quajtur Gjokiqin madje edhe “terrorist” dhe ka shprehur mirënjohje për shërbimet ruse të inteligjencës për, siç u shpreh ai, zbulimin e përpjekjeve për të nxitur trazira të organizuara në vend. Vuçiq deklaroi se do të shkruajë një “bestseller” për mënyrën se si e ka luftuar këtë “revolucion të huaj”.
Pretendimet serbe vazhdojnë edhe ndaj Universitetit të Nishit, ku emri i ish-dekanes së Fakultetit të Filozofisë, profesoreshës Natalija Jovanoviq, përmendet si “udhëheqëse operative e një qelize spiunazhi” nën ndikimin e drejtpërdrejtë të autoriteteve bullgare. Sipas dokumentarit, ajo ka bashkëpunuar me ish-konsullin bullgar në Nish, Georgi Jurukov, dhe ka krijuar, siç pretendohet, “kanale të thella” mes qarqeve akademike dhe diplomatike bullgare dhe universiteteve në Serbi.
Në dokumentar thuhet gjithashtu se Jovanoviq ka lidhur marrëveshje të shumta me institucione bullgare të arsimit të lartë, përmes të cilave ka mundësuar, sipas autorëve, përfshirjen e aktorëve të huaj financiarë në sistemin universitar serb. Një emër tjetër i përmendur është ai i profesorit bullgar Hristo Bondxholov nga Universiteti i Tarnovos.
Akuzat përfshijnë edhe konsullin aktual bullgar në Nish, Dimitar Canov, i cili gjithashtu etiketohet si pjesë e të njëjtit rrjet të supozuar subversiv.
Pas pretendimeve ndaj Bullgarisë, dokumentari vazhdon me akuza të ngjashme edhe ndaj përfaqësive diplomatike të Kroacisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe SHBA-ve, duke i përshkruar si mbështetëse të “agjentëve të brendshëm” që synojnë destabilizimin e Serbisë.
Autorët e dokumentarit janë të njohur për qëndrimet e tyre nacionaliste dhe për materiale të mëparshme të diskutueshme, përfshirë dhe një “analizë” ku mohohet gjenocidi i Srebrenicës i vitit 1995, i kryer nga forcat serbe në Bosnje.