Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik u përplasën për të dëshmuar epërsinë e tyre duke u përpjekur të ishin të parët që dërguan njeriun në hënë.
Ndërsa Amerika mund ta ketë fituar atë betejë në vitin 1969, një garë e re dhe edhe më dramatike hapësinore sapo ka filluar.
Këtë javë u zbulua se drejtori i ri i NASA-s, Sean Duffy, po përgatitet të instalojë një reaktor bërthamor amerikan në hënë para vitit 2030.
Në një direktivë të publikuar fillimisht nga Politico, z. Duffy shprehet se kjo do t’i mundësonte SHBA-së të shpallte një “zonë të ndaluar” në sipërfaqen hënore.
Kjo konsiderohet si një hap i nevojshëm për të mbrojtur vendin e uljes për një bazë të ardhshme amerikane në hënë, pjesë e Programit Artemis.
Megjithatë, SHBA nuk është aspak e vetmja që ka synuar satelitin tonë natyror.
Në maj, Kina dhe Rusia nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të ndërtuar reaktorin e tyre bërthamor në hënë.
Por me Rusinë dhe Kinën që synojnë përfundimin deri në vitin 2036, tre superfuqitë tani janë të kyçura në një garë kokë më kokë për të arritur të parat.
Kjo ndodh ndërkohë që SHBA po bën një kthesë të papritur dhe të shpejtë drejt prioritetit të eksplorimit njerëzor në hapësirë.
Pavarësisht se ka reduktuar misionet shkencore dhe i ka dhënë NASA-s buxhetin më të vogël që nga viti 1961, agjencia ka ndarë mbi 7 miliardë dollarë për eksplorimin hënor.
Programi Artemis, që dikur shihej si një objektiv për shkurtime nga Donald Trump, tani është planifikuar të rikthejë praninë njerëzore në hënë deri në vitin 2027.
Në direktivë, Duffy kërkoi që NASA të “veprojë shpejt” për të ndërtuar një reaktor bërthamor në hënë për të “mbështetur një ekonomi të ardhshme hënore.”
Ai i ka kërkuar NASA-s që të vendosë një reaktor të aftë të prodhojë të paktën 100 kilovatë në hënë deri në fund të dekadës — mjaftueshëm për të furnizuar me energji 80 shtëpi amerikane mesatare dhe që mund të shërbejë si baza energjetike për një koloni të përhershme hënore.
NASA më parë kishte planifikuar të vendoste një reaktor 40-kilovatësh në të njëjtën periudhë, por nuk është e qartë nëse mund të përdoren të njëjtat dizajne.
Z. Duffy do t’i japë NASA-s 30 ditë për të emëruar një zyrtar që do të mbikëqyrë operacionin dhe 60 ditë për të shpallur një kërkesë për propozime nga kompani private për projektin.
Energjia bërthamore shihet si çelësi për ndërtimin e një pranie të qëndrueshme në hënë, sepse ajo përjeton errësirë të plotë dhe ngrica për dy javë çdo muaj.
Në Polin e Jugut, ku NASA planifikon të vendosë operacionet e saj, dielli nuk ngrihet kurrë shumë lart në horizont dhe disa kratere janë të mbuluara me errësirë të përhershme.
Kjo e bën thuajse të pamundur që anijet hapësinore apo bazat të mbijetojnë vetëm me energji diellore dhe bateri.
Megjithatë, ky kthim i papritur drejt eksplorimit hënor mund të jetë rezultat i konkurrencës në rritje nga superfuqitë e tjera.
Në mënyrë domethënëse, Duffy paralajmëroi se “shteti i parë që e arrin këtë mund të shpallë një zonë të ndaluar, e cila do ta pengonte ndjeshëm SHBA-në të vendoste praninë e planifikuar në kuadër të programit Artemis, nëse nuk arrin atje më parë.”
Kjo me shumë mundësi i referohet planeve të Rusisë dhe Kinës për të ndërtuar një reaktor bërthamor në hënë, të shpallura në maj.
Ky reaktor do të përdoret për të furnizuar Stacionin Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore (ILRS), i cili pritet të përfundojë deri në vitin 2036 sipas planeve të fundit.
Roscosmos, agjencia hapësinore ruse, shkroi në një deklaratë asokohe: “Stacioni do të kryejë kërkime hapësinore themelore dhe do të testojë teknologjinë për operacione afatgjata pa ekuipazh në ILRS, me perspektivën e një pranie njerëzore në hënë.”
ILRS do të ishte një bazë e përhershme brenda 100 kilometrave nga Poli i Jugut i hënës, duke përfshirë punën e 17 vendeve, përfshirë Egjiptin, Pakistanin, Venezuelën, Tajlandën dhe Afrikën e Jugut.
Baza do të paraprihet nga misioni i ardhshëm Chang’e-8 i Kinës, i cili do të jetë përpjekja e parë e vendit për të ulur njeriun në hënë.
Kjo do të thotë se hëna, dhe veçanërisht Poli i Jugut i saj, tani është kthyer në një objektiv të një gare të re ndërkombëtare hapësinore.
Dr. Mark Hilborne, ekspert i sigurisë në King’s College London, tha për Daily Mail: “Hëna është një vend ku shtetet do të kenë interesa konkurruese. Do të ketë pjesë të hënës që janë më të vlefshme se të tjerat dhe, për rrjedhojë, mund të jenë pika specifike për garë.
“Hëna është e vlefshme si një bazë me gravitet të ulët ku mund të ndërtohen zhvillime të mëtejshme hapësinore. Materialet hënore, nëse nxirren aty, do të ishin shumë të vlefshme për ndërtimin e elementeve që do të ndihmonin eksplorimin e mëtejshëm.”
“Nëse këto mund të ndërtohen në hënë, në vend që të transportohen nga Toka, kostoja do të ishte shumë më e ulët.”
Shqetësimi kryesor për SHBA-në, dhe ndoshta për Rusinë e Kinën gjithashtu, është se çfarëdo vendi që fillon ndërtimin në hënë i pari, në thelb mund ta konsiderojë atë si territorin e vet.
Aktivitetet e vendeve në hapësirë rregullohen nga një grup rregullash të quajtur Traktati për Hapësirën e Jashtme, i nënshkruar fillimisht në vitin 1967.
Palët nënshkruese bien dakord se hapësira “nuk i nënshtrohet përvetësimit kombëtar nëpërmjet pretendimeve të sovranitetit, përdorimit apo okupimit, apo ndonjë mënyrë tjetër.”
Kjo do të thotë në mënyrë eksplicite që vendet nuk kanë të drejtë ligjore të pretendojnë territor në trupa qiellorë si hëna.
Megjithatë, në praktikë, Amerika kohët e fundit ka ndjekur një version shumë më agresiv të ligjit përmes nënshkrimit të një sërë rregullash të quajtura Marrëveshjet Artemis në vitin 2020.
Këto marrëveshje u japin shteteve anëtare të drejtën të krijojnë “zona sigurie” — zona ekskluzive ku anëtarët e shteteve të tjera nuk mund të hyjnë ose të veprojnë pa leje nga “pronarët”.
Ndërsa SHBA këmbëngul se këto kufizime do të përfundojnë “kur operacioni përkatës përfundon”, për një koloni të përhershme, kjo do të funksiononte pothuajse si një kufi sovran.
Këto rregulla krijojnë në thelb një parim që kush arrin i pari në një pjesë të hënës, e ruan për përdorim vetjak.
Dr. Jill Stuart, eksperte e të drejtës hapësinore nga London School of Economics, tha për Daily Mail: “Vendet mund të përdorin një pjesë të sipërfaqes hënore për një bazë shkencore — pa pretenduar pronësi afatgjatë mbi të — por duhet t’ua bëjnë të ditur vendeve të tjera vendndodhjen dhe qëllimin e bazës.”
“Megjithëse kjo duket si një mënyrë ‘e drejtë’ për të lejuar aktivitetin e ardhshëm në hënë, ajo krijon gjithashtu një përparësi për atë që arrin i pari.”
Kjo ide mund të jetë alarmante për Amerikën, ndërsa Kina po shfaq përparime të shpejta në programin e saj hapësinor, duke e afruar gjithnjë e më shumë praninë njerëzore në hënë.
Ndërsa këto zona sigurie mund të jenë të domosdoshme për një reaktor bërthamor, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të çojë në një garë hapësinore gjithnjë e më të rrezikshme.
Dr. Fabio Tronchetti, ekspert i të drejtës hapësinore nga Northumbria University, tha për Daily Mail: “Është e qartë se po shkojmë drejt një gare hapësinore.”
“Shtetet e Bashkuara po përpiqen të veprojnë shpejt dhe të arrijnë në hënë para Kinës dhe Rusisë, në mënyrë që të mund të pretendojnë në mënyrë të njëanshme të drejtën për të përcaktuar rregullat e lojës.”
Kjo ka potencialin serioz për të nxitur konflikt ndërmjet kombeve, pasi Kina dhe Rusia, që nuk kanë nënshkruar Marrëveshjet Artemis, nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të respektuar “zonat e ndaluara” të SHBA-së.
Dr. Tronchetti thotë se e drejta ndërkombëtare “nuk e njeh mundësinë” e pretendimeve të SHBA-së, duke shtuar se SHBA po përpiqet të “detyrojë Kinën të pranojë rregulla që favorizojnë interesat e saj”.
Si do të luhet ky konflikt në sipërfaqen e hënës mbetet për t’u parë, por në të ardhmen, mund të shohim që konfliktet këtu në Tokë të shtrihen edhe në hapësirë. /GazetaExpress/
Urime për fituesit e tretë – Fitore Ismajli dhe Qemal Gjana! GO+ po vazhdon të shpërblejë më të guximshmit!...