Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore që mbajti koncertin mbi dy orësh në festivalin ‘Sunny Hill’, ka vizituar ‘Reporting House’ para se të shënonte ora 12 e mbrëmjes, të hënën, më 04.08.2025.
Duan e shoqëruan në këtë vizitë Dukagjin Lipa, babai i saj dhe themeluesi i festivalit, Callum Turner, aktor i famshëm dhe i fejuari i Dua Lipës, Gjin Lipa, vëllai i saj dhe të tjerë.
Ajo u prit nga producentja e muzeut, Jeta Xharra, kuratori i muzeut Gazmend Ejupi, gazetarja Donika Shahini dhe nga stafi e vullnetarët e ‘Reporting House’.
Dua Lipa tha “keni një bërë një punë të mrekullueshme për të treguar historinë e Kosovës në këtë muze”.
Dukagjin Lipa falenderoi që muzeu u hap përtej orarit të tij dhe tha që kjo vizitë është realizuar për shkak të respektit për punën e bërë me këtë muze.
Callum Turner u interesua për xhirimet e trupave speciale britaneze, ‘paratroopers’, të cilët kishin ardhur në Kosovë ditëve të para të hyrjes së NATO-së dhe shiheshin në xhirime duke bërë skenimin e terenit për mina në Prishtinë, derisa Dua i tregonte për lagjet e njohura të Prishtinës që i shihte në xhirimet e vitit 1999 të bëra nga BBC.
Donika Shahini, gazetarja që e kishte ruajtur fletoren e fëmijëve të Jasharëve tha “ishte fantastike me çfarë interesimi, kurioziteti dhe modestie Dua dhe Callum ndëgjuan rrëfimin tim për fletoren e shpëtuar nga shtëpia e Jasharëve që e kam ruajtur për këtë muze. Madje Callum më pyeti me detaje për rezistencën e familjes Jashari dhe fëmijet që kishin rënë atë ditë”.
“Kjo më bëri shumë të lumtur, që një një çift kaq i njohur me familjet e tyre që janë angazhuar aq shumë me festivalin dhe koncertin e tyre, koncert të cilin e kam pa dhe më ka bërë të lumtur, gjeti kohë të vizitojë muze dhe të interesohet për punën tonë” – tha Shahini.
Jeta Xharra, bashkëthemeluesja e muzeut “Reporting House” tha që “kemi pasur një fluks të njerëzve që e kanë vizituar muzeun tonë për shkak se kanë ardh në Kosovë për Sunny Hill, pra kemi pasur mundësi të ju flasim për historinë e Kosovës njerëzve që normalisht nuk do vinin në Kosovë”.
“Pra, kjo tregon që, përtej profesionalizimit të lartë që është treguar këto ditë nga stafi i kompanisë “Republika” që e kanë organizuar festivalin “Sunny Hill” – të cilin e kam vizitu çdo natë – është e hatashme sa e dobishme është treguar familja Lipa për gjithë ne që jetojmë e punojmë në Kosovë. Thjesht ata na kanë bërë nder duke e promovuar një Kosovë moderne, një rini kosovare që ndihet rehat në lëkurën e vet dhe rehat me histori të vet – e për mua befasi e kandshme ishte sidomos që pas gjithë asaj lodhje me festival, kjo familje gjeti kohë të interesohet për histori të Kosovës disa orë para se Dua duhej të udhëtoj e ta zë aeroplanin për udhëtimin e mëtutjeshëm të saj. Kjo tregon një fokusim të hatashëm të kësaj familjeje për të bërë mirë jo vetëm për veti, por për Kosovë” – shtoi Xharra.
Gjatë vizitës së saj, Lipa me familjarët vizituan edhe Galerinë e ‘Reporting House’ ku po ekspozohet puna e artistit 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjaëi e që titullohet “Fragmente të mbijetesës”.
Reporting House” është hapur më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë dhe pasqyron punën e madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë. Orari i vizitës gjatë muajit gusht është ditëve e marte – premte prej orës 10:00 – 20:00 ndërsa të shtunën prej orës 10:00 deri në 18:00.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...