“Shtetet e Bashkuara duan t’i forcojnë lidhjet, veçanërisht ekonomikisht, me vendet në rajon”, thotë diplomatja amerikane Anu Prattipati, e cila shton se për të arritur prosperitet, edhe Washingtoni, por edhe populli i Kosovës kanë nevojë për paqe dhe stabilitet.
Ajo, e pyetur në një intervistë për Gazetën Express lidhur me përpjekjen për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe për nisjen e ndërtimit të dy urave të tjera krah saj, tha se “veprimet që i rrisin tensionet në rajon pengojnë Shtetet e Bashkuara të punojnë në mënyrë produktive me Kosovën”.
“Më lejoni ta them këtë: Shtetet e Bashkuara duan t’i forcojnë lidhjet, veçanërisht ekonomikisht, me vendet në rajon. Për ta bërë këtë dhe për ta rritur prosperitetin tonë të përbashkët, ne dhe populli i Kosovës kemi nevojë për paqe dhe stabilitet. Veprimet që i rrisin tensionet në rajon pengojnë Shtetet e Bashkuara të punojnë në mënyrë produktive me Kosovën. Qeveria në detyrë e kryeministrit Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë tha se janë “veçanërish të shqetësuar për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura” si dhe për deklaratat mbi veprime të tjera të njëanshme. Tha se ata s’e vënë në dyshim se këto institucione duhet në fund të integrohen në sistemin e Kosovës, por ka vërejtje për mënyrën se si po përpiqet të bëhet kjo.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura dhe për deklaratat mbi veprime të njëanshme për ta zhvendosur arsimin dhe shëndetësinë në sistemin kosovar. Ne nuk e vëmë në dyshim që këto institucione duhet në fund të integrohen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është tejet e rëndësishme. Çdo plan për ta ndryshuar statusin e institucioneve paralele duhet të jetë i koordinuar plotësisht dhe të diskutohet paraprakisht me udhëheqësit e zgjedhur dhe anëtarët e komunitetit serb të Kosovës dhe të koordinohet përmes kanaleve të vendosura siç është Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një afat kohor dhe plan të qartë të përcaktuar. Nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë në mënyrë të përgjegjshme”, tha ajo.
Prattipati tha se “Kosova duhet t’i sigurojë kushtet në vend” që partneriteti me SHBA-në “të lulëzojë”. Veprimet që ndikojnë negativisht te qytetarët, ajo tha se shkojnë “drejtpërdrejt kundër prioriteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara në rajon”.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një marrëdhënie të fortë dhe produktive me Kosovën dhe duan të bashkëpunojnë për çështje që e avancojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal. Kosova duhet t’i sigurojë kushtet në vend që ky partneritet të lulëzojë. Veprimet që ndikojnë negativisht tek qytetarët e Kosovës jo vetëm që i rrezikojnë marrëdhëniet bilaterale të Kosovës, por gjithashtu shkojnë drejtpërdrejt kundër prioriteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara në rajon, veçanërisht forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Stabiliteti dhe siguria rajonale janë kyçe për prosperitetin ekonomik. Gjatë vizitës më 12-14 korrik në Kosovë, Zyrtari i lartë i Byrosë Brendan Hanrahan e përforcoi këtë mesazh dhe e inkurajoi qeverinë ta krijojë një ambient të përshtatshëm për investime të mëtejshme amerikane”.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...