Milani ka finalizuar një nga transferimet më të bujshme të verës, duke zyrtarizuar ardhjen e Luka Modricit.
Mesfushori kroat, gjatë prezantimit të tij, foli për herë të parë mbi vendimin për t’iu bashkuar kuqezinjve dhe rolin që drejtori sportiv, Igli Tare, pati në këtë marrëveshje.
“Ishte një vendim shumë i lehtë ta pranoj Milanin kur Igli Tare më telefonoi. Udhëtimi i tij në Kroaci ishte shumë i rëndësishëm, tregoi se sa shumë interesohej Milani dhe sa shumë besonin ata se unë mund të performoja në një nivel të lartë. Kjo ishte pika e kthesës në negociata. Kur dikush dëshiron të të nënshkruajë, është e rëndësishme të më shpjegojë projektin. Më duhej pak kohë për të folur me familjen time, por thellë-thellë e dija se ishte zgjedhja e duhur. Nuk e prisja të ndodhte kaq shpejt, por kjo tregon besimin që kishin tek unë, shpresoj se mund ta shpërblej në fushë”, tha Modric.
Me këtë deklaratë, Modric konfirmoi se besimi i Tares dhe vizioni i Milanit ishin faktorët kyç që e bindën të braktiste Real Madridin pas më shumë se një dekade të suksesshme dhe të fillonte një aventurë të re në Serie A.
Tifozët kuqezinj tashmë presin me padurim debutimin e tij në “San Siro”, duke shpresuar që përvoja dhe klasi i kroatit do të bëjnë diferencën në garën për titull./GazetaExpress/