Kryetari i Partisë Demokartike Sali Berisha deklaroi sot së vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR u kërcënuan që të ndryshonin raportin paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha bëri publike një letër e cila sipas tij mban datën 12 maj dhe është shkruar nga ministri i Jashtëm Igli Hasani e cila iu është dërguar vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim që ata të ndryshojnë raportin.
“Këtu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së; Ambasadorit Lamberto Zannier, kryetar i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it; zotit Bjorn Soder, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të OSBE; zotit Simone Billi, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës dhe zotit Michael Gahler, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian”, tha Berisha.
Sipas Berishës, ministri i Jashtëm thotë në letrën e tij se “nuk janë përdorur burimet e administratës”.
Berisha tha më tej se Hasani mashtroi hapur ndërkombëtarët duke shpikur arrestime nga SPAK.
“Asnjë arrest nuk është bërë. Në një kohë që vetëm këtu janë paraqitur pothuajse çdo ditë me qindra dhe fakte. Pra, gënjen komunitetin ndërkombëtar, thotë janë arrestuar. Janë bërë disa arreste, çka tregon qartë, thotë, përkushtimin e institucioneve shqiptare për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe për të siguruar përgjegjshmërinë”, tha Berisha.
Berisha shtoi se Hasani “sulmon raportin për t’u thënë delegacioneve ndërkombëtare se ju keni mashtruar, në një kohë kur vetë mashtron në çdo paragraf”.