Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj kritikave dhe shqetësimeve të ngritura në opinionin publik dhe mediatik lidhur me draftin e ri të Kodit Penal, i cili është prezantuar pak ditë më parë nga Ministria e Drejtësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se dokumenti është një produkt i punës së gjatë të një grupi ekspertësh të fushës dhe është hedhur në konsultim pikërisht për të mbledhur mendimet dhe sugjerimet nga publiku dhe grupet e interesit.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell,” shkroi Rama. “Ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.”
Kreu i qeverisë ka shtuar se debati mbi draftin është i mirëpritur, por duhet të fokusohet në thelbin e dokumentit, jo në interpretime të deformuara.
“Hëpërhë problemi më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo,” theksoi ai, “por masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj.”