Osmani reagoi ashpër, Ambasada e Kosovës në Shkup më e butë për thirrjet antishqiptare: Vlerësojmë reagimin e Mickoskit - Gazeta Express
string(117) "osmani-reagoi-ashper-ambasada-e-kosoves-ne-shkup-me-e-bute-per-thirrjet-antishqiptare-vleresojme-reagimin-e-mickoskit"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 15:13

Osmani reagoi ashpër, Ambasada e Kosovës në Shkup më e butë për thirrjet antishqiptare: Vlerësojmë reagimin e Mickoskit

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 15:13

Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut i ka dënuar thirrjet antishqiptare gjatë një ndeshje basketbolli të zhvilluar në Kumanovë, ku ishin të pranishëm edhe krerët e shtetit fqinj.

Ajo tha në një reagim se ka përcjellur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me thirrjet raciste anti-shqiptare të tifozëve në ndeshjen e zhvilluar në fundjavë.

“Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje”, thuhet në reagim.

Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski i dënoi këto thirrje, pas kritikave ndaj tij.

“Vlerësojmë reagimin e kreut institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje. Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoji një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla”, thuhet në reagimin e ambasadës kosovare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte më e ashpër në një reagim sot, ku tha se thirrjet antishqiptare “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.

Ajo tha se më shqetësues ishte fakti që zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin maqedonas Hristjan Mickoski nuk reaguan ndaj këtyre thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve. Mickoski reagoi ndërkohë.

“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, thuhet në deklaratën e Osmanit.