Paolo Maldini konsiderohet si mbrojtësi më i mirë në histori të futbollit.
Legjenda italiane ka fituar gjithçka që është e mundshme në futboll, por edhe ka humbur shumë finale.
Për këtë, ish-mbrojtësi i hekurt i Milanit e konsideron veten si njërin prej humbësve më të mëdhenj në mesin e fituesve më të mëdhenj.
“Sukseset kalojnë edhe përmes humbjeve. Në fund isha njëri prej humbësve më të mëdhenj në mesin e fituesve më të mëdhenj. Kështu, e kisha fatin të fitoja duke humbur aq shumë”, deklaroi fillimisht Maldini për “Rai 3”, përcjell “Gazeta Express”.
Ai foli edhe për debutimin e tij në futboll.
“Kur debutova, mendova se nuk do të luaja. Madje as nuk i mora këpucët e duhura sportive. Kisha përballë njerëz më me përvojë sesa unë. Kur trajneri më tha të hyja në lojë, nuk mendova më asgjë, s’më kujtohet asgjë. Roli im në fushë? I thash trajnerit se mund të luaja kudo”, shtoi Maldini.
Sa i përket babait të tij, Cesare, Paolo u shpreh: “E kisha një raport të mirë me të. Në vitet e parë të karrierës nuk mund ta mohoj se trashëgimia e tij më rëndoi pak”, përfundoi Maldini, i cili e ka fituar pesë herë trofeun e Ligës së Kampionëve. /Gazeta Express