Një raport i ri i publikuar nga grupi i pavarur i mendimit Transparenca Mbretëri e Bashkuar-Kinë (UKCT) ngre shqetësime lidhur me ndërhyrjet e mundshme të qeverisë kineze në universitetet britanike. Sipas raportit, studentët kinezë përballen me presion për të raportuar bashkëstudentët që përfshihen në diskutime mbi çështje të konsideruara sensitive nga autoritetet kineze.
UKCT, pas një sondazhi me akademikë që merren me studimet për Kinën, sugjeron se ekzistojnë raste ku zyrtarë kinezë u kanë bërë thirrje pedagogëve të shmangin trajtimin e temave të caktuara në ligjëratat e tyre. Këto përfshijnë çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, teknologjinë, politikën, si dhe temat si trajtimi i ujgurëve në Xinjiang, origjina e pandemisë COVID-19 apo roli në rritje i gjigantëve teknologjikë kinezë.
Raporti vjen në një kohë kur ka hyrë në fuqi legjislacioni i ri në Mbretërinë e Bashkuar, i cili detyron institucionet e arsimit të lartë të ndërmarrin hapa më të qarta për të mbrojtur dhe promovuar lirinë akademike dhe lirinë e shprehjes. Universitetet që dështojnë në këtë drejtim rrezikojnë të përballen me gjoba, ka paralajmëruar Zyra për Studentë (OfS).
Sipas raportit të UKCT-së, disa universitete mund të jenë të rezervuara për të adresuar ndikimin e jashtëm nga Kina për shkak të kontributit financiar të studentëve ndërkombëtarë, përfshirë ata nga Kina.
Në dokument theksohet gjithashtu se disa studiues kinezë që punojnë në tema të ndjeshme janë përballur me refuzim të vizave, ndërsa të tjerë kanë pohuar se familjarët e tyre në Kinë janë kërcënuar ose survejuar.
Akademikë të ndryshëm kanë raportuar raste të frikësimit nga vizitorë akademikë, zyrtarë të huaj ose staf i lidhur me Institutet Konfuçe – organizata që promovojnë kulturën dhe gjuhën kineze në universitetet britanike, por që shpesh janë kritikuar për lidhje të ngushta me Partinë Komuniste të Kinës.
Nga ana tjetër, ambasada kineze në Londër e ka hedhur poshtë raportin, duke e cilësuar si të pabazuar dhe absurd. Sipas saj, Kina respekton lirinë e shprehjes si në Britani, ashtu edhe në vende të tjera. /BBC