Një grup prej rreth 600 ish-zyrtarësh të sigurisë izraelite, përfshirë ish-drejtorë të agjencive të inteligjencës, i kanë dërguar një letër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke i kërkuar të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të përfunduar menjëherë luftën në Gaza.
“Sipas gjykimit tonë profesional, Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin,” shkruhet në letrën e ish-zyrtarëve, raporton BBC.
“Besueshmëria juaj te shumica dërrmuese e izraelitëve e forcon aftësinë tuaj për të drejtuar kryeministrin Netanyahu dhe qeverinë e tij në drejtimin e duhur: përfundoni luftën, ktheni pengjet, ndaloni vuajtjet,” thuhet tutje në letrën e tyre.
Apeli i tyre vjen në një kohë kur raportohet se Netanyahu po shtyn për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza, ndërkohë që bisedimet e tërthorta për armëpushim me Hamasin kanë ngecur.
Kujtojmë se Izraeli nisi një luftë shkatërrimtare në Gaza pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 u morën peng e u dërguan në Gaza. Ndërsa, që nga ajo kohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, mbi 60,000 njerëz janë vrarë nga fushata ushtarake izraelite në Gaza.