Millosh Antoviq arrin marrëveshje për pranim fajësie, akuzohet për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan - Gazeta Express
string(106) "millosh-antoviq-arrin-marreveshje-per-pranim-fajesie-akuzohet-per-sulm-ndaj-kfor-it-dhe-policise-ne-zvecan"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 11:38

Millosh Antoviq arrin marrëveshje për pranim fajësie, akuzohet për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 11:38

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie mes të akuzuarit Millosh Antoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Antoviq akuzohet për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023 në Zveçan.

Prokurori Bekim Kodraliu tha se duke respektuar në tërësi dispozitat ligjore kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie me të akuzuarin Antoviq, andaj edhe propozoi që të aprovohet marrëveshja e arritur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Antoviq, avokati Pleurat Bekaj tha se duke i kuptuar pasojat edhe benifitet e pranimit të fajësisë dhe pas konsultimit të mjaftueshëm me të akuzuarin, ky i fundit ka pranuar fajësinë.

Sa i përket dënimit, prokurori propozoi që për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” t’i shqiptohet dënimi me burg efektiv prej 2 vitesh, për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penlae dhe huliganizmi”, t’i shqiptohet dënimi me 6 muaj burgim me mundësi zëvendësimi me gjobë prej 18 mijë euro, për shitblerje të narkotikëve t’i shqiptohet dënimi prej 3 vitesh burgim, si dhe për armëmbajtje pa leje t’i shqiptohet dënimi me gjobë prej 2 mijë euro.

Kodraliu propozoi që të akuzuarit Antoviq t’i shqiptohet dënimi unik prej 5 vitesh me burgim efektiv dhe gjobë 20 mijë euro. Në dënimin me burgim, u propozua t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 15 prillit 2025.

Gjithashtu, t’i konfiskohet edhe telefoni meqenëse me të njëjtin, sipas prokurorit, ka kryer veprën penale. Si dhe t’i konfiskohet narkotiku dhe arma, dhe të asgjësohen sipas procedurave ligjore.

Marrëveshja për pranim fajësie më pas u aprovua nga gjykatësi Valon Kurtaj, ndërsa edhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Millosh Antoviqit i njohur me pseudonimin “Xhajo”, për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023 në Zveçan. Ai ngarkohet për katër vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023, që nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri Millosh Antoviq në koordinim me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës i ka sulmuar dhe seriozisht i ka kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri.

Aty thuhet se si pasojë janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Me këto veprime, kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe trupin e këtyre zyrtarëve policorë dhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, Antoviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.6 lidhur me par.2 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, Antoviq akuzohet  se me datë dhe kohë të njëjtë si në pikën 1 të aktkauzës, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, ka marrë pjesë aktive në turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, ku përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.

Sipas aktakuzës, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, i pandehuri së bashku me të pandehurit e tjerë kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, molotov dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri, nga të cilat u lënduan 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë, si dhe në veturat e gazetarëve që po mbulonin ngjarjet e asaj dite, duke përfshirë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin në masë të madhe.

Me këto veprime, Antoviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Millosh Antoviq ngarohet se më 15 prill 2025, në shtëpinë e tij në Zhitkovc të Zveçanit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ka poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike, ku gjatë bastisjes i janë gjetur dhe sekuestruar 646 gramë kanais, 8,94 gramë kokainë, dhe 12.33 gramë likodan.

Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 të Kodit Penal.

Në pikën e katërt të aktakuzës, Antoviq akuzohet se nga data e papërcaktuar deri më 15 prill 2025, në shtëpinë e tij gjatë bastisjes i është gjetur një  armë pneumatike, të cilën e mbante pa leje. E njëjta i është sekuestruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit nga 15 prilli 2025. /BetimipërDrejtësi