DW: Korrupsioni në Ukrainë - 30 përqind ryshfet për dronë të rinj - Gazeta Express
string(62) "dw-korrupsioni-ne-ukraine-30-perqind-ryshfet-per-drone-te-rinj"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 11:36

DW: Korrupsioni në Ukrainë – 30 përqind ryshfet për dronë të rinj

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 11:36

Skandal i ri korrupsioni në Ukrainë: Pas protestave për përpjekjet për të zvogëluar kompetencat e agjencisë antikorrupsion, është zbuluar një skandal i ri ryshfeti në lidhje me prokurimin e armëve.

Në Ukrainë, hetuesit kanë zbuluar një skandal të ri korrupsioni që lidhet me prokurimin e armëve. Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), së bashku me Zyrën e Prokurorit Kundër Korrupsionit (SAP), njoftuan se kishin zbuluar “përvetësim sistematik” të fondeve publike për ushtrinë, si dhe “marrjen dhe dhënien e përfitimeve të paligjshme në një shkallë veçanërisht të madhe”.

Këto janë kontrata me prodhuesit e dronëve të cilat, sipas autoriteteve në Kiev, u lidhën me çmime dukshëm të larta – në dëm të buxhetit shtetëror të Ukrainës.

Sipas informacioneve të deritanishme, janë arrestuar katër të dyshuar – midis tyre, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, është edhe deputeti Oleksiy Kuznetsov. Ai i përket partisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski.

30 përqind për ryshfet

Akuzat i referohen edhe disa punonjësve të tjerë të shërbimeve publike në nivel qyteti, si dhe anëtarëve të Gardës Kombëtare. Këta të fundit u pezulluan nga detyrat e tyre, deklaroi ministri i Brendshëm Ihor Klimenko. Të dyshuarit, siç u tha, lidhën kontrata për blerjen e dronëve për luftën me çmime të tepruara, dhe më pas morën 30 përqind të shumës në formën e ryshfeteve.

Presidenti Zelenski deklaroi se është “mirënjohës” ndaj organeve antikorrupsion për punën e tyre.

“Nuk duhet të ketë tolerancë për korrupsionin, nevojitet bashkëpunim i qartë për të zbuluar ryshfetin – dhe në fund të fundit vendime të drejta për denimin e tij”, tha ai në kanalin e tij në “Telegram”.

“Është e rëndësishme që institucionet të punojnë në mënyrë të pavarur”. Ligji i sapomiratuar të enjten, ofron të gjitha mundësitë për luftimin e korrupsionit dhe ryshfetit.

Me këtë ligj parlamenti ukrainas rivendosi pavarësinë e Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Zyrës së Prokurorit Kundër Korrupsionit. Përpara kësaj, me urdhër të Zelenskit, të dy institucionet u vendosën nën juridiksionin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Kjo shkaktoi protesta në vend dhe kritika nga Bashkimi Evropian javën e kaluar.

Ukraina dhe korrupsioni

Korrupsioni dhe shpërdorimi janë probleme të përhapura në Ukrainë. Që kur filloi pushtimi rus më shumë se tre vjet më parë, janë zbuluar disa raste korrupsioni në ushtri dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Prandaj, BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të zbatojë reforma nëse dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Në Indeksin aktual të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Ukraina renditet e 105-ta nga 180 vende.

Ka dyshime edhe për zhdukjen në kanale të errëta të ndihmave perëndimore që i dërgohen Ukrainës për të luftuar Rusinë, por deri tani nuk është publikuar ndonjë rast konkret me përmasa të gjëra. /DW