Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara ka dhënë një paralajmërim tronditës. Banorët e qytetit të rrethuar el-Fasher në Sudan po përballen me uri ekstreme dhe rrezik për jetën.
Qyteti, me rreth 250 mijë banorë, ndodhet në rajonin perëndimor të Darfurit dhe prej gati 16 muajsh është në rrethim nga forcat paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), që kërkojnë ta marrin nën kontroll nga ushtria sudaneze.
Sipas WFP-së, agjencia nuk ka arritur të dërgojë ndihma ushqimore me rrugë tokësore në qytet për më shumë se një vit. Situata është aq e rëndë, sa disa banorë raportohen të kenë filluar të hanë ushqim të kafshëve apo mbetje ushqimore për të mbijetuar.
Aktivistë lokalë kanë nisur të raportojnë për vdekje nga uria, ndërsa çmimet për ushqimet e pakta që ndodhen në treg janë rritur në mënyrë marramendëse. Agjencia nuk ka fajësuar drejtpërdrejt asnjë palë, por ka theksuar se RSF ka bllokuar rrugët tregtare dhe linjat e furnizimit për të vetmin qytet në Darfur që ende mbahet nga ushtria.
“Çdo banor në el-Fasher po lufton çdo ditë për të mbijetuar”, tha Eric Perdison, drejtor rajonal i WFP për Afrikën Lindore dhe Jugore.
Një vajzë 8-vjeçare, Sondos, që kishte ikur nga qyteti bashkë me familjen, tregoi se në el-Fasher kishte vetëm “uri dhe bomba”.
WFP thotë se ka kamionë me ndihma të gatshëm për të hyrë në qytet, por ka nevojë për garanci sigurie. Një përpjekje për të çuar ndihma në qershor u ndërpre pas një sulmi ndaj konvojit, për të cilin ushtria dhe RSF fajësuan njëra-tjetrën.
Ndërkohë, OKB po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim njëjavor humanitar në el-Fasher, por nuk është ende e qartë nëse palët do ta pranojnë.
Lufta civile në Sudan, që shpërtheu në prill 2023, është cilësuar nga OKB si kriza më e rëndë humanitare në botë. Deri tani, mbi 150 mijë persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Konflikti ka shkaktuar gjithashtu akuza për gjenocid në rajonin e Darfurit.