Tragjedi në brigjet e Jemenit - Mbi 60 emigrantë humbin jetën pasi anija fundoset në det të hapur - Gazeta Express
string(95) "tragjedi-ne-brigjet-e-jemenit-mbi-60-emigrante-humbin-jeten-pasi-anija-fundoset-ne-det-te-hapur"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 7:57

Tragjedi në brigjet e Jemenit – Mbi 60 emigrantë humbin jetën pasi anija fundoset në det të hapur

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 7:57

Ditën e djeshme, një tragjedi u regjistrua në brigjet jugore të Jemenit, ku mbi 60 emigrantë humbën jetën, pasi një anije me rreth 150 persona u fundos, përballë provincës Abyan, gjatë motit të keq.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), deri tani janë gjetur 68 trupa të pajetë, ndërsa 12 persona janë shpëtuar. Dhjetëra të tjerë konsiderohen ende të zhdukur.

Shumica e viktimave mendohet të jenë shtetas etiopianë, bëri të ditur përfaqësuesi i IOM në Jemen, Abdusattor Esoev, duke e cilësuar ngjarjen si një incident tragjik dhe “zemërthyes”.

Anija e mbytur ditën e djeshme, mendohet të ketë transportuar rreth 157 migrantë, të cilët po përpiqeshin të kalonin nëpër një nga segmentet më të përdorura nga trafikantët e qenieve njerëzore në këtë rajon.

Trupat e 54 migrantëve u gjetën në bregun e rrethit jugor Khanfar, ndërsa 14 të tjerë janë dërguar në morgun e spitalit të qytetit Zinjibar, kryeqendra e provincës Abyan, raportoi Associated Press.

Jemeni mbetet një nga rrugët kryesore të kalimit për migrantët nga Afrika Lindore, veçanërisht nga Briri i Afrikës, që kërkojnë të shkojnë drejt shteteve të Gjirit Persik në kërkim të një jete më të mirë.

IOM vlerëson se qindra persona janë mbytur, apo janë zhdukur gjatë muajve të fundit në përpjekje për të kaluar këtë rrugë detare të rrezikshme.