Një shtetas britanik ka vdekur pasi nisi një procedurë për transplant flokësh në Stamboll, shkruan The Guardian
Martyn Latchman, 38 vjeç, nga Milton Keynes, i cili vitin e kaluar la një karrierë 16-vjeçare në mësimdhënie për t’u bërë kontraktor në fushën e mbrojtjes, vdiq javën e kaluar pasi u ndje keq gjatë fazës përgatitore të procedurës së transplantit.
Klinika përkatëse, Dr Cinik në zonën e Beshiktashit, klientë të mëparshëm të së cilës përfshijnë ish-futbollistin e Anglisë dhe Manchester United, Rio Ferdinand, tha se nuk dihet pse Latchman u sëmur.
Ai u transferua në repartin e kujdesit intensiv në një spital aty pranë, por vdiq më vonë po atë ditë, konfirmoi klinika. Mediat turke raportuan se policia ka nisur një hetim.
Trupi i Latchman-it është dërguar tashmë në Mbretërinë e Bashkuar. Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme tha: “Po i ofrojmë mbështetje familjes së një shtetasi britanik që vdiq në Turqi dhe jemi në kontakt me autoritetet vendore”.
Faqja zyrtare e Dr Cinik pretendon se ka kryer mbi 50.000 transplante të suksesshme. Klientët e saj më të njohur janë futbollistë ndërkombëtarë. Përveç Ferdinand-it, pacientë të mëparshëm përfshijnë finalistin e Kupës së Botës me Kroacinë, Ivan Rakitić, ish-sulmuesin e Francës dhe Liverpool-it, Djibril Cissé, dhe fituesin brazilian të Kupës së Botës, Rivaldo.
Në një deklaratë, klinika tha se ishte “thellësisht e pikëlluar” për vdekjen e Latchman-it.
Sipas saj, ai kishte kryer me sukses një transplant flokësh verën e kaluar dhe ishte kthyer këtë vit për një procedurë të dytë.