Osmani për thirrjet antishqiptare: Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është kryeministër i të gjithëve - Gazeta Express
string(107) "osmani-per-thirrjet-antishqiptare-mickoski-e-humbi-mundesine-te-tregoje-se-eshte-kryeminister-i-te-gjitheve"

Maqedoni

Gazeta Express

03/08/2025 13:55

Osmani për thirrjet antishqiptare: Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është kryeministër i të gjithëve

Maqedoni

Gazeta Express

03/08/2025 13:55

Thirrjet për “vdekje për shqiptarët”, për “dhoma gazi” dhe për “Maqedoni të pastër”, para një delegacioni të gjerë qeveritar të kryesuar nga Kryeministri, përbëjnë skandal më vete për të cilin duhet të reagojnë të gjithë. Mungesa e reagimit nga vetë Kryeministri dhe nga Qeveria, dërgon një mesazh edhe më shqetësues për normalizimin e këtyre trendeve. Kështu ka reaguar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa ka shtuar se Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është Kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe se të paktën simbolikisht është i shqetësuar për fyerjet dhe kërcënimet drejtuar shqiptarëve në vend.

“Ai duhej të largohej menjëherë nga salla, ose, në minimum, të reagonte publikisht në rrjetet sociale duke i dënuar këto thirrje; gjithashtu, Qeveria humbi rastin të dërgojë një reagim zyrtar, ndërkohë që kemi parë se është në gjendje të prodhojë edhe seri njoftimesh për nevoja shumë më të vogla”, shkruan Osmani.

Ky skandal në tribunat e Kumanovës, sipas Osmanit,  nuk është rast i izoluar, por një tjetër në vargun e ngjarjeve me të cilat pushteti ose e nxit, ose në minimum e normalizon retorikën anti-shqiptare në shoqëri. “Le të kujtojmë rastin e Bogevskit, partnerit të koalicionit i cili u bë i njohur për fyerje dhe poshtërime ndaj shqiptarëve, dhe më pas u shpërblye e u mbrojt nga vetë Kryeministri. Këto janë tendenca të rrezikshme dhe shqetësuese, dhe ata që ia duan të mirën vendit nuk duhet t’i tolerojnë këto shpërthime, por duhet t’i dënojnë qartë dhe pa ekuivok”.