Një person është plagosur në orët e para të së dielës në rrugën Klinë- Gjakovë, në afërsi të fshatit Kramovik.
Ai ka qenë duke udhëtuar me familjarët e tij.
Kështu tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, për Express.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, është pranuar informata se një mashkull i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor, pasi ishte qëlluar me armë zjarri. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00, në rrugën Klinë–Gjakovë në afërsi të fshatit Kramovik. Sipas të dhënave fillestare, viktima kishte qenë duke udhëtuar me familjarët e tij. Ne ndërkohë kishte dalë nga vetura me të cilën po udhëtonte dhe në afërsi të rrugës është qëlluar nga një drejtim ende i panjohur. Viktima aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë”. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, tha ai.