Barcelona ka kaluar një merkato verore relativisht të qetë përpara nisjes së sezonit 2025/26 në La Liga. Hansi Flick synon të mbrojë titullin e kampionit, si dhe trofetë e Copa del Rey dhe Superkupës së Spanjës, në sezonin e tij të dytë në krye të ekipit.
Me financat ende të brishta në Katalonjë, Flick është detyruar të balancojë afrimet e reja me shitjet për të respektuar rregullin financiar 1:1 të La Liga-s. Disa largime nga skuadra janë kompensuar me ardhjen e Joan Garcia nga Espanyol dhe huazimin e Marcus Rashford nga Manchester United për sezonin 2025/26, një lëvizje që ka marrë vëmendjen kryesore.
Gjithashtu, Barcelona ka bërë një transferim të zgjuar me çmim të ulët për Roony Bardghji. Lojtari 19-vjeçar zgjodhi të mos rinovojë kontratën me FC Copenhagen dhe katalanasit arritën marrëveshje prej vetëm 2.5 milionë euro për ta sjellë atë në “Camp Nou”. Pavarësisht zërave për një huazim për të fituar më shumë përvojë, Flick ka konfirmuar se dëshiron ta mbajë sulmuesin suedez në skuadër për këtë sezon.
Bardghji ka dhënë sinjale pozitive që në ndeshjen debutuese në parasezon, ku shënoi si zëvendësues në fitoren 3-1 ndaj Vissel Kobe dhe më pas tregoi një paraqitje të mirë edhe në fitoren 7-3 ndaj FC Seoul.
Tifozët e Barcelonës janë të entuziazmuar për talentin e tij dhe potencialin që mund t’i shtojë opsioneve të Flick. Me kontratë deri në vitin 2029, lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar afatgjatë:
“Shpresoj të qëndroj në Barcelonë për shumë vite, ndoshta për gjithë karrierën time. Do të bëj gjithçka që ta realizoj këtë. Dua të lë një trashëgimi si paraardhësit e mi, Henrik Larsson ose Zlatan Ibrahimovic,” tha Bardghji për Marca.
“Shokët e skuadrës më kanë trajtuar shumë mirë, po e shijoj çdo ditë si lojtar i Barcelonës. Gjithmonë përpiqem të luaj me të njëjtën filozofi që ka pasur gjithmonë Barça, dhe stili i Hansit më përshtatet shumë. Sinqerisht, ndihem si në shtëpi.”