Vendet e ftohta nordike po përvëlohen nga një valë të nxehti e përshkruar si “vërtet e paprecedent”, teksa moti i nxehtë, i përforcuar dhe zgjatur nga ndotja me karbon, po vazhdon të përfshijë Europën Veriore.
Një stacion meteorologjik në pjesën norvegjeze të Rrethit Arktik regjistroi temperatura mbi 30°C për 13 ditë gjatë korrikut, ndërsa Finlanda ka përjetuar tre javë rresht me temperatura mbi 30°C, raporton The Guardian.
Sipas shkencëtarëve, kjo është periudha më e gjatë me këto temperatura që nga viti 1961 dhe është 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm.
“Valë të nxehti vërtet e paprecedent është ende në kulmin e saj, me temperatura maksimale sot rreth 32–33°C”, shkroi Mika Rantanen, shkencëtar i klimës pranë Institutit Meteorologjik Finlandez, në një postim në rrjetet sociale të enjten. “Edhe rajonet arktike … kanë kaluar tri javë me temperatura mbi 25°C dhe nesër mund të thyejnë rekordin e tyre të të nxehtit për muajin gusht.”
Instituti Meteorologjik Norvegjez bëri të ditur se të paktën një stacion në tri qarqet më veriore të vendit regjistroi temperatura mbi 30°C për 12 ditë në korrik. Edhe pse vendi pati një periudhë të shkurtër lehtësimi javën e kaluar, kur vala e të nxehtit u zhvendos më në veri dhe lindje, parashikohet që temperaturat të arrijnë sërish 30°C gjatë fundjavës.
“Na presin disa ditë të nxehta në veriun e Norvegjisë,” deklaroi instituti.
Në Suedi, meteorologët thanë se vala e të nxehtit ka qenë afatgjatë në disa stacione në veriun e vendit. Në Haparanda, një stacion regjistroi temperatura 25°C ose më shumë për 14 ditë rresht, ndërsa në Jokkmokk të Laplandës, vala zgjati 15 ditë.
“Për të gjetur një periudhë më të gjatë me të tilla temperatura në këto zona, duhet të kthehesh më shumë se një shekull pas,” tha Sverker Hellström nga Instituti Suedez për Meteorologji dhe Hidrologji.
I nxehti i madh përfshiu Europën Veriore në mesin e korrikut, i nxitur nga ujërat e ngrohta në brigjet veriore të Norvegjisë dhe një zonë presioni të lartë që qëndroi e qëndrueshme, duke sjellë temperatura 8–10°C mbi mesataren sezonale. Rajoni është goditur gjithashtu nga stuhi dhe rrufe që kanë shkaktuar zjarre pyjore.
Moti i nxehtë i ka befasuar banorët e kësaj pjese të kontinentit, e cila është më mirë e përshtatur për të ftohtin. Studiuesit kanë zbuluar se vende si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Zvicra do të përjetojnë rritjen më të madhe relative të ditëve me të nxehtë të padurueshëm ndërsa planeti ngrohet, dhe kanë paralajmëruar se infrastruktura e tyre nuk është ndërtuar për të përballuar këtë ndryshim.
Të mërkurën, një pistë akulli në veri të Finlandës hapi dyert për qytetarët që kërkonin strehim nga i nxehti, pasi dhoma e urgjencës së spitalit lokal u mbush përtej kapaciteteve, raportuan mediat finlandeze. Të enjten, barinjtë paralajmëruan se renat e tyre ishin në rrezik për jetën për shkak të temperaturave ekstreme.
Radioja suedeze raportoi se turistët e huaj që kishin zgjedhur Skandinavinë për “pushime të freskëta” u përballën me paralajmërime për të nxehtë të rrezikshëm.
“Me përparimin e ndryshimeve klimatike, valët jashtëzakonisht të nxehta do të intensifikohen,” tha Heikki Tuomenvirta, shkencëtar në Institutin Meteorologjik Finlandez. “Ato po ndodhin më shpesh, janë më të ashpra dhe zgjasin më shumë.”