Pas daljes së Frenkie de Jong në mbështetje të Marc-André ter Stegen si kapiten i Barcelonës, një sërë bashkëlojtarësh të tij kanë ndjekur shembullin. Ter Stegen aktualisht është i përfshirë në një lloj “beteje të heshtur” me klubin, i cili nuk është i kënaqur me qëndrimin e tij për të ardhmen.
Trajneri Hansi Flick u tërhoq nga kjo çështje më herët këtë javë, duke shpjeguar se do ta linte vendimin përmes një votimi mes lojtarëve, pas zërave se Barcelona mund t’i hiqte gjermanit shiritin e kapitenit. Megjithatë, pas fitores 7-3 kundër FC Seoul, de Jong foli qartë duke thënë se ter Stegen ishte lideri i tyre, ndërsa Ferran Torres mbështeti të njëjtin mendim.
Një nga surprizat e sezonit të kaluar ishte fakti që Raphinha u zgjodh si nën-kapiten dhe u bë një figurë e rëndësishme brenda skuadrës. Braziliani tha vetëm fjalë pozitive për të në një intervistë për Sport:
“Po, sipas mendimit tim, por në fund kjo nuk varet më nga ne. Që kur erdha, ai gjithmonë më ka ndihmuar dhe ai tashmë ishte kapiten. Në futboll ka hierarki dhe duhet t’i respektojmë ato. Për mua, edhe nëse nuk është kapiten, ai do të mbetet një person i veçantë. Nëse do të ketë votime apo jo, kjo është çështje e trajnerit ose presidentit.”
Ndërkohë, Gavi mbajti shiritin e kapitenit në pjesën e dytë në Korenë e Jugut dhe mori lëvdata të veçanta nga Flick pas ndeshjes. 20-vjeçari i tha RAC1 (përmes Marca-s) se ishte një motivim i madh:
“U ndjeva shumë krenar që munda të vesh shiritin. Është një ëndërr dhe më motivon edhe më shumë. Nuk e di nëse do të mund ta mbaj këtë sezon, sepse duhet respektuar hierarkia, por unë e kam ëndërr të jem kapiten i Barçës. Do ta doja shumë; është diçka që çdo tifoz i Barçës e mendon.”
Gavi gjithashtu e konfirmoi pozicionin se ter Stegen është kapiteni i skuadrës:
“Mendoj se do të votojmë. Marc është kapiteni i parë i ekipit dhe në fund janë lojtarët ata që votojnë.”
Edhe Pau Cubarsí deklaroi për TV3 se ter Stegen ka një ndikim pozitiv në ekip:
“Ne nuk vendosim asgjë. Për momentin, Marc është në skuadër. Ai është kapiteni ynë, udhërrëfyesi dhe mbështetja jonë kryesore. Është me ne, jemi shumë të lumtur dhe shpresojmë që kështu të mbetet.”
Barcelona mund të ketë synuar ta kërcënojë ter Stegen me heqjen e kapitenit nëse ai nuk firmos raportin mjekësor që do t’i lejonte klubit të aktivizonte rregullin e emergjencës për dëmtimet, apo edhe nëse nuk pranon një largim. Megjithatë, deklaratat e bashkëlojtarëve tregojnë se presidenti Joan Laporta ose drejtori sportiv Deco rrezikojnë të prishin harmoninë e dhomës së zhveshjes nëse e bëjnë këtë./GazetaExpress/