Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale që lidhen me keqpërdorimin e kartelave bankare, vjedhjen e identitetit dhe hyrjen e paautorizuar në sisteme kompjuterike.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në koordinim me prokurorinë e shtetit dhe me urdhër të gjykatës. Më 31 korrik 2025, në rajonin e Prishtinës janë arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në përdorimin e kartelave bankare të bardha (bllanko) dhe kanë promovuar këtë aktivitet ilegal përmes rrjeteve sociale, duke shpërndarë video tërheqjeje të parave nga bankomatet.
Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa pajisje teknologjike që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprimtarive kriminale, përfshirë:
Dy kompjuterë,
Një llaptop,
Dy telefona mobil,
Tri USB dhe
Një hard disk (HDD).
Të dyshuarit, sipas Policisë, kishin për qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për persona të tjerë. Me vendim të prokurorit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Hetimet kanë vazhduar edhe më 1 gusht, kur është ndaluar edhe i dyshuari i tretë, gjithashtu mashkull kosovar, i cili konsiderohet pjesë e të njëjtit grup kriminal. Edhe ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për të luftuar krimet kibernetike dhe ka bërë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm në mbrojtjen e të dhënave personale dhe bankare, duke mos rënë pre e mashtrimeve apo vjedhjeve të mundshme në internet.