Brahimaj nga AAK: Interesi i Kurtit dhe deputetëve të tij është të mbajnë këtë situatë për të kapur çdo nivel të institucioneve - Gazeta Express
string(126) "brahimaj-nga-aak-interesi-i-kurtit-dhe-deputeteve-te-tij-eshte-te-mbajne-kete-situate-per-te-kapur-cdo-nivel-te-institucioneve"

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 13:47

Brahimaj nga AAK: Interesi i Kurtit dhe deputetëve të tij është të mbajnë këtë situatë për të kapur çdo nivel të institucioneve

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 13:47

Lahi Brahimaj, deputet i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe deputetët e tij kanë interes ta mbajnë këtë gjendje për të kapur çdo nivel të institucioneve.

Këto komente, Brahimaj i bëri në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në takimin me titull: “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”

“Pse nuk duhet Albulena? U dhanë shumë arsye dhe kemi ofruar të gjithë emra alternativë. Por interesi i VV-së nuk ka qenë formimi i Parlamentit. Sepse nga 54 seanca, mbi 50 prej tyre kanë qenë jo të plota për shkak të mungesës së deputetëve të VV-së. Edhe nëse do t’i kishin numrat, gjithmonë mungonin dy ose tre deputetë të tyre. Kjo tregon qartë që nuk kanë qenë të interesuar,” tha Brahimaj.

Ai theksoi se AAK-ja ka propozuar disa emra për ta zhbllokuar situatën, por asnjëri nuk është marrë parasysh.

“Aleanca, që nga dita e parë, ka propozuar zgjidhje. Unë personalisht kam propozuar dy emra: zonjën Shqipe Selimi dhe zonjën Saranda Bogujevci. Më vonë, edhe z. Haradinaj, duke parë situatën, e ka propozuar z. Glauk Konjufca. Partitë e tjera po ashtu kanë ofruar shumë zgjidhje, por gjithmonë është insistuar në kandidaturën e zonjës Haxhiu,” shtoi ai.

Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Brahimaj tha: “Vendimi ka lënë shumë hapësirë për interpretim. Gjykata thotë të kthehemi në praktikat e mëparshme; votimi i fshehtë lejohet nëse fillon nga seanca e parë dhe nëse pajtohen të gjitha partitë”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të premten organizoi tryezën diskutimi me titull “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”.

Kjo ngjarje u mbështet nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë.