Milorad Dodik, presidenti i entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Srpska (RS), është dënuar përfundimisht më 1 gusht nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, mëson Radio Evropa e Lirë.
Vendimi është marrë nga një trup gjykues prej tre anëtarësh: Amela Huskic, Vesna Jesenkovic dhe Hilmo Vucinic, të cilët më 12 qershor kanë konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë të shpallur më 26 shkurt. Sipas këtij vendimi, Dodik është dënuar me një vit burg dhe gjashtë vite ndalim për të ushtruar funksione politike.
Sipas njoftimit nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, vendimi është dërguar palëve më 1 gusht dhe ndaj tij nuk lejohet ankesë.
Mbrojtja e Dodikut dhe Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës ishin ankuar ndaj aktgjykimit të shkallës së parë – mbrojtja kërkonte shfuqizimin e vendimit, ndërsa prokuroria rritjen e dënimit me burg dhe zgjatjen e ndalimit për funksione publike.
Dodik është shpallur fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve të cilat më herët ishin anuluar nga përfaqësuesi i lartë në BeH, Christian Schmidt. Ligjet në fjalë, të miratuara nga organet legjislative të RS, kishin për qëllim të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH dhe përfaqësuesit të lartë në territorin e këtij entiteti.