Portieri i Bayern Munichut, Sven Ulreich, ka njoftuar për vdekjen tragjike të djalit të tij gjashtëvjeçar.
Gardiani gjerman, 36-vjeçar, e ka ndarë lajmin rrëqethës të premten në mëngjes. Djali i tij, Len, i lindur në vitin 2018, humbi betejën e gjatë me një sëmundje të rëndë në qershor.
Ulreich shkroi në Instagram: “Me dhimbje të thellë duam të njoftojmë sot se djali ynë Len ndërroi jetë para disa javësh pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.
Vendimi për ta bërë këtë publik tani është jashtëzakonisht i vështirë për ne – megjithatë, është një hap i rëndësishëm për ne si familje që të kemi qartësi në rrethin tonë dhe para opinionit publik.
Së bashku me vajzën tonë, tani po përpiqemi të gjejmë rrugën për t’u kthyer dalëngadalë në jetë.
Falënderime të veçanta i drejtojmë familjeve tona, miqve tanë dhe FC Bayern Munich për diskrecionin dhe mbështetjen e madhe gjatë muajve të kaluar – kjo do të thotë shumë për ne.
I lusim publikun dhe përfaqësuesit e mediave të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë privatësinë tonë. Ju lutemi të përmbaheni nga pyetje apo deklarata të tjera. Lisa & Sven.”
Ulreich në mënyrë të kuptueshme ka çaktivizuar komentet në postimin e tij në Instagram për t’i dhënë familjes hapësirë dhe qetësi.
Len kishte lindur tre vite pasi Ulreich ishte bashkuar me Bayern Munichun nga VfB Stuttgart.
Ngushëllime të shumta kanë ardhur për familjen Ulreich, ku një tifoz shkroi: “Ju uroj shumë forcë dhe durim ty dhe familjes tënde, shpirti i djalit tuaj pushoftë në paqe.”
Mbështetja e klubit vjen vetëm disa javë pasi Ulreich rinovoi kontratën për një vit tjetër në “Allianz Arena”.
Si numri 2 pas kapitenit Manuel Neuer, Ulreich ka bërë 103 paraqitje zyrtare me Bayernin.
Ai ka fituar nëntë herë Bundesligën, tri herë Kupën e Gjermanisë, gjashtë herë Superkupën e Gjermanisë, si dhe ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve dhe Superkupës së UEFA-s.
Në vitin 2020, ai u transferua për një sezon te Hamburger SV para se të rikthehej te kampionët rekord të Gjermanisë.