Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten rreth orës 10:30, në pikëkalimin kufitar – Aeroporti “Adem Jashari”, gjatë arritjes së fluturimit nga Londra është selektuar për kontroll një udhëtar i cili kishte zgjedhur të kalojë përmes kanalit të gjelbër (i dedikuar për ata që nuk kanë mallra për të deklaruar).
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se pas kontrollit të realizuar mbi bazën e analizës së rrezikut dhe imazheve nga skaneri, në bagazhin e udhëtarit janë zbuluar mallra me vlerë të konsiderueshme që nuk ishin deklaruar siç kërkohet me ligj.
“Mallrat e zbuluara përfshijnë: 4 copë orë dore me vlera totale të mallrave mbi 45 mijë euro. Mallrat janë konfiskuar dhe ka filluar procedura kundërvajtëse”, thuhet në postim.
Tutje në postim bëhet e ditur se Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët se të gjithë mallrat me vlerë që kalojnë kufirin duhet të deklarohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.
“Mosdeklarimi i tyre përbën shkelje dhe mund të rezultojë me masa ndëshkuese, përfshirë konfiskimin e mallrave dhe gjobitje. Dogana mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e ekonomisë dhe sigurimin e transparencës në të gjitha proceset kufitare”, thuhet në postim.