Sudentët në bllokadë nga Fakulteti i Arteve Dramatike dhe Fakulteti i Arkitekturës në Beograd kanë thirrur qytetarët që të marrin pjesë në një ecje përkujtimore paqësore, e cila do të mbahet nesër, më 1 gusht, me rastin e nëntëmujorit të tragjedisë së rënies së kulmores në stacionin e trenit në Novi Sad, ngjarje që ende nuk ka sjellë asnjë përgjegjësi institucionale.
Tubimi fillon në orën 19:00, përpara Stacionit të Vjetër të Trenit në Sheshin e Savës, ndërsa programi zyrtar nis në 19:30 me një fjalim të shkurtër. Pas kësaj, të pranishmit do të nisen në heshtje drejt Stacionit të Trenit Beograd-Centar “Prokop”, ku do të mbahet një fjalim i dytë, pasuar nga 16 minuta heshtje dhe një performancë simbolike me pëlhurë të zezë, për të përkujtuar viktimat e tragjedisë në Novi Sad.
“01 gushti shënon 9 muaj nga rënia e kulmores, dhe ende nuk ka asnjë të përgjegjshëm. Pushteti vazhdon të injorojë pakënaqësinë studentore dhe qytetare, nuk i përmbush kërkesat dhe refuzon çdo përgjegjësi që do të duhej të kishte një shtet demokratik dhe ligjor në shekullin 21”, thonë studentët.
Protesta vjen si përgjigje ndaj heshtjes institucionale dhe paaftësisë për të garantuar sigurinë publike, sidomos në projektet madhore infrastrukturore si stacioni “Prokop”, i cili prej dekadash është simbol i paaftësisë, korrupsionit dhe mungesës së mbikëqyrjes në Serbi. Studentët paralajmërojnë se situata e këtij stacioni mbetet e pasigurt dhe se është vetëm çështje kohe para se të ndodhë një tragjedi tjetër edhe më e madhe.
“Qëllimi i kësaj proteste është të kthehemi tek rrënjët, tek arsyet pse nisi revolta jonë. Nëse nuk veprojmë tani, ‘Prokop’ mund të bëhet varr masiv për qytetarët e këtij vendi.”
Ky është mobilizimi më i madh që nga protesta “Shihemi në Vidovdan” më 28 qershor, e cila shënoi një kulm të pakënaqësisë qytetare përballë shtypjes, arrestimeve masive dhe dhunës policore ndaj studentëve dhe qytetarëve.
Studentët theksojnë se nuk ka më vend për indiferencë:
“Mos sillni bilbila, sillni veten! Shihemi më 1 gusht, ora 19:00, te Stacioni i Vjetër i Trenit. Kujtojmë. Protestojmë. Kërkojmë drejtësi.”