FBI ka hapur një zyrë të pavarur në kryeqytetin e Zelandës së Re, pjesërisht për të përmirësuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara dhe Zelandës së Re për të kundërshtuar praninë e Kinës në rajonin e Paqësorit, tha të enjten drejtori i FBI-së, Kash Patel.
Patel tha në një deklaratë se hapja e një zyre të dedikuar për atasheun e zbatimit të ligjit në Wellington do të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin afatgjatë të Uashingtonit me një nga partnerët e tij kyç në Paqësorin jugperëndimor.
“Disa nga çështjet më të rëndësishme globale të kohës sonë janë ato për të cilat Zelanda e Re dhe Amerika punojnë së bashku – kundërshtimi i PKK-së (Partisë Komuniste të Kinës) në teatrin Indo PACOM, kundërshtimi i tregtisë së narkotikëve, bashkëpunimi kundër ndërhyrjeve kibernetike dhe operacioneve ransomware dhe më e rëndësishmja mbrojtja e qytetarëve tanë përkatës”, shtoi ai në një video të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Wellington, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
FBI ka pasur një zyrë të degës në Zelandën e Re që nga viti 2017 dhe të dy vendet punojnë ngushtë në çështjet e policimit, duke përfshirë shfrytëzimin e fëmijëve dhe krimin e organizuar.
Zelanda e Re dhe SHBA-të kanë punuar më ngushtë së bashku mes shqetësimeve për ndikimin në rritje të Kinës në Paqësor. Të dy janë anëtarë të partneritetit për ndarjen e inteligjencës të njohur si Pesë Sytë, i cili përfshin gjithashtu Australinë, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ministrja e Mbrojtjes e Zelandës së Re, Judith Collins dhe ministri i Policisë, Mark Mitchell, thanë në një deklaratë se mirëpritën zyrën e re të FBI-së, e cila, sipas tyre, do të rriste sigurinë e qytetarëve të Zelandës së Re.
Patel vizitoi Zelandën e Re për të hapur zyrën dhe në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së u tha se ai vizitoi edhe ministrat kryesorë të qeverisë.