Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar i shokuar pasi Kanadaja njoftoi se planifikon ta njohë Palestinën në shtator.
Trump deklaroi se ky hap i Kanadasë kërcënon marrëveshjen tregtare.
“Wow! Kanadaja sapo ka njoftuar se po e mbështet shtetësinë për Palestinën. Kjo do ta bëjë shumë të vështirë për ne që ta bëjmë një marrëveshje tregtare me ta. Oh Kanada!!!”, shkroi presidenti i SHBA në rrjetin e tij social, Truth Social.
Paralajmërimi i tij për Kanadanë vjen disa orë përpara se tarifat e tij të hyjnë në fuqi për vendet që nuk kanë arritur marrëveshje tregtare me SHBA-në. Trump ka deklaruar se marrëveshjet duhet të arrihen para 1 gushtit, përndryshe do të aplikohen taksa më të larta.
Ndërkohë kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi se vendi i tij planifikon ta njohë Palestinën si shtet.
Carney tha se vendimi i tij u nxit nga “katastrofa” në Gaza dhe për shkak se kishte frikë se perspektiva e një shteti palestinez po “zvogëlohej para syve tanë”.
Autoriteti Palestinez – i cili drejton pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar – duhet të angazhohet për “reformën shumë të nevojshme”, tha ai. Dhe Hamasi, i cili kontrollonte Gazën, “nuk mund të luajë asnjë rol”.
Njoftimi i Kanadasë erdhi vetëm një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar tha se edhe ajo do ta njihte shtetin palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk angazhohej për një armëpushim.
Javën e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron tha gjithashtu se Franca do ta njihte shtetin palestinez në shtator, duke thënë “ne duhet të ndërtojmë shtetin e Palestinës, të sigurojmë qëndrueshmërinë e tij dhe ta sigurojmë këtë duke pranuar demilitarizimin e tij dhe duke njohur plotësisht Izraelin”.