Andoni: Kosova mund të paralizohet, shteti në rrezik - Marrëveshja e Kumanovës po preket - Gazeta Express
string(84) "andoni-kosova-mund-te-paralizohet-shteti-ne-rrezik-marreveshja-e-kumanoves-po-preket"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 9:54

Andoni: Kosova mund të paralizohet, shteti në rrezik – Marrëveshja e Kumanovës po preket

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 9:54

Publicisti shqiptar Ben Andoni flet për një ndërgjegjje të munguar në sferën politike në Kosovë për rrezikun që thotë se i kanoset vendin.

Ai tha mbrëmë se beson se “Kosova është sinqerisht e rrezikuar” dhe se terrenin për të po e shtron më së shumti situata politike në vend.

Me ngërçin në Kuvend, Andoni tha se politika kosovare ka treguar se “ky nuk është caku i fundit” dhe se “do të ketë caqe më të këqija se kaq”.

“Më keq se kaq është që paralizohet jeta e vendit”, tha ai në A2CNN.

Ai kujtoi se “për Kosovën raportohet akoma nga të huajt dy herë në Këshillin e Sigurimit”.

“Në qoftë se më përpara ke pasur interpretime nga delegacioni rus dhe delegacionet e tjera që janë kundër pavarësisë së Kosovës, sot kanë dëshmi”, tha Andoni.

Andoni sheh një rrezik në lidhje me rezolutën 1244 të miratuar më 10 qershor 1999 në Këshillin e Sigurimit, e cila e përcakton statusin politik të Kosovës si protektorat i OKB-së.

“Kam diçka që dua ta ndaj me ju përsa i përket rezolutës 1244. Jo për shkak të gjendjes së tanishme, por edhe për shkak të gjendjes edhe më përpara, rezoluta 1244 po futet gjithnjë e më shumë në diskursin diplomatik të Serbisë”, tha ai.

Andoni tha gjithashtu se “po preket” Marrëveshja e Kumanovës e 1999, me të cilën Serbia detyrohej t’i tërhiqte forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

“Ajo është vetëm garnitura, sepse esenca është Marrëveshja e Kumanovës, dhe Marrëveshja e Kumanovës ka filluar të preket. Ka filluar të shpjegohet, interpretohet në kushte të reja”.

Kështu, ai tha se do të rrezikohej veriu dhe “pjesa e pavarësimit të Kosovës”.

“Unë uroj që jo, por ngjarjet që kanë rrjedhur më vonë gjithmonë e më shumë besoj që Kosova është sinqerisht e rrezikuar”, tha Andoni.

Ai tha se “në Kosovë duket sikur nuk e besojnë akoma që janë të pavarur, që janë shtet”.