Gjykata Komerciale pezulloi vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, Fejzullahu thotë se do të ankohet - Gazeta Express
string(130) "gjykata-komerciale-pezulloi-vendimin-e-zrre-se-per-liberalizimin-e-tregut-te-energjise-elektrike-fejzullahu-thote-se-do-te-ankohet"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 8:56

Gjykata Komerciale pezulloi vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, Fejzullahu thotë se do të ankohet

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 8:56

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar dje vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka të bëjë me daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Lidhur me pezullimin e vendimit, është deklaruar kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i cili tha se lidhur me këtë vendim do ta parashtrojnë ankesë.

“Vendimi nuk është shfuqizim. Pra nuk është i ekzekutueshëm menjëherë. Është aktgjykim që kemi të drejtë ankese edhe 15 ditë”- tha Fejzullahu për Kallxo.com

Pas padisë së kompanisë “Proex”, Gjykata Komerciale vendosi që të anulojë njoftimin e lëshuar nga ZRRE më 12.03.2025, përmes të cilit njoftonte kompanitë për dalje në tregun e lirë.

“Të gjithë konsumatorët që sipas njoftimit të paditurës ZRRE-së do të dalin ne treg të lirë për t’u furnizuar me energji elektrike, janë njoftuar për një ndryshim me rëndësi kaq të lartë vetëm 2 muaj e gjysmë paraprakisht. E paditura, përveç faktit që ka dështuar qe këtë çështje ta rregullojë përmes aktit administrativ, duke ju ofruar palëve arsyetimin, bazën ligjore, këshillën juridike si dhe çështjet e tjera me rendësi për një tranzicion të tillë, ka dështuar që fillimisht të ju ofroj konsumatorëve informata të nevojshme dhe jetike për këtë proces”- thuhet në vendimin e djeshëm.

Tutje në njoftimin e Gjykatës thuhet se vendimi i ZRRE-së për të nxjerrë të gjithë konsumatorët në treg të lirë, të bazuar në një interpretim të gabuar të dispozitave ligjore, përbën shkelje të rëndë të ligjit.

Sipas Gjykatës, me këtë vendim ZRRE  i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë konsumatorët që sipas ligjit plotësojnë të paktën një nga kriteret e kërkuara për dalje në treg të lirë.

Po ashtu Gjykata Komerciale ka anuluar pikën 4 të vendimit të ZRRE-së, me të cilin, konsumatorët fundorë kanë të drejtë të furnizohen me energji elektrike në tregun konkurrues.

“Rrjedhimisht, vendimi dhe njoftimi i të paditurës janë të kundërligjshme, si për nga përmbajtja ligjore ashtu edhe për nga forma procedurale, duke u bazuar në interpretim të pasaktë të dispozitave dhe zbatim të gabuar të normave në dëm të konsumatorëve”- thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, nga Oda Ekonomike konsiderojnë këtë vendim të rëndësishëm, e që sipas tyre, konfirmon shqetësimet e ngritura në vazhdimësi nga komuniteti i biznesit dhe nga vetë Oda lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi.

“Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRrE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike”- thuhet në reagimin e tyre.