Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka deklaruar se vendi i tij planifikon të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në muajin shtator, duke u bërë kështu shteti i tretë i G7-ës që njofton një vendim të tillë në ditët e fundit, raporton BBC.
Carney theksoi se njohja do të kushtëzohet nga disa reforma demokratike, përfshirë organizimin e zgjedhjeve nga Autoriteti Palestinez vitin e ardhshëm, zgjedhje që do të duhet të mbahen pa pjesëmarrjen e Hamasit.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi Britania e Madhe bëri të ditur se do ta njohë Palestinën si shtet në shtator, nëse Izraeli nuk pranon një armëpushim dhe kushte të tjera. Ndërkohë, Franca ka prezantuar një plan të ngjashëm javën e kaluar.
Ministria e Jashtme izraelite e ka cilësuar njoftimin e Kanadasë si “një shpërblim për Hamasin”, duke e kundërshtuar hapur iniciativën. Aktualisht, 147 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur formalisht shtetin palestinez.
Carney u shpreh se njohja do të zyrtarizohet gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vjeshtë.
Në arsyetimin e tij, ai përmendi zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përkeqësimin e gjendjes humanitare në Gaza, si dhe sulmet e 7 tetorit 2023 nga Hamasi ndaj Izraelit si faktorët kryesorë që shtynë Kanadanë drejt këtij qëndrimi të ri në politikën e jashtme.
“Niveli i vuajtjes njerëzore në Gaza është i patolerueshëm dhe po përkeqësohet me ritme të shpejta”, deklaroi Carney të mërkurën përpara gazetarëve.