Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka dhënë vendimin përfundimtar për ish-drejtorin e Kadastrës në Gjirokastër, Florian Taçi, i shpallur fajtor për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim. Apeli ka ulur dënimin nga 6 në 4 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar, Taçi do të vuajë 2.8 vite heqje lirie.
Vendimi erdhi pas pranimit të fajësisë nga ana e Taçit dhe kërkesës për gjykim të shkurtuar, ndërsa në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, çka e lë me më shumë se 1 vit e gjysmë për të vuajtur në burg të sigurisë së zakonshme. Pritet që prokuroria të lëshojë urdhrin e ekzekutimit të dënimit në ditët në vijim.
Së bashku me Taçin, në këtë dosje u dënua edhe ish-vartësi i tij, Alban Memisha, me 4 vite burg, të cilat pas gjykimit të shkurtuar i reduktohen në 2.5 vite. Ndërkohë, Julian Nakuçi, një tjetër i përfshirë në çështje, është shpallur i pafajshëm dhe lirohet nga të gjitha akuzat.
Ngjarja tronditi opinionin publik në fillim të vitit, kur më 28 shkurt 2024, Taçi dhe Memisha u arrestuan në flagrancë duke falsifikuar dokumente pronësie brenda zyrës së Kadastrës, pranë Policisë së Qarkut Gjirokastër. Hetimet zbuluan se Taçi kishte akses të plotë në serverin qendror të Kadastrës dhe përgatiste tapi false me vula dixhitale, duke përfituar në mënyrë të paligjshme.
Akuza ndaj Taçit përfshijnë falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe shpërdorim detyre. Ai u la fillimisht në arrest shtëpiak nga Apeli në mars të këtij viti, ndërsa tashmë do të përfundojë pjesën e mbetur të dënimit në burg.