Pushteti e quan “zbarkim” të FSK’së në Veri kërkimin për trupin e mërgimtarit  - fjala shpjegon operacionet ushtarake në territor të kundërshtarit - Gazeta Express
string(140) "pushteti-e-quan-zbarkim-te-fskse-ne-veri-kerkimin-per-trupin-e-mergimtarit-fjala-shpjegon-operacionet-ushtarake-ne-territor-te-kundershtarit"

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 14:16

Pushteti e quan “zbarkim” të FSK’së në Veri kërkimin për trupin e mërgimtarit  – fjala shpjegon operacionet ushtarake në territor të kundërshtarit

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 14:16

“FSK zbarkon në veri të vendit”.

Me këtë fjali Lëvizja Vetëvendosje kumtoi lajmin për arritjen e disa pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit për një ngjarje tragjike. Në Liqenin e Ujmanit dyshohet se u mbyt një 33-vjeçar mërgimtar dhe për gjetjen e trupit të pajetë u kërkua edhe asistenca e FSK-së, raporton Gazeta Express.

Në tentativën për ta përshtatur këtë ngjarje në narrativën për “çlirimin e veriut”, Lëvizja Vetëvendosje përdori gabimisht fjalën “zbarkim”.

Në fakt, sipas fjalorëve të gjuhës shqipe, Vetëvendosje po e mohon veriun si territor të Republikës së Kosovës.

Në kuptimin ushtarak, fjala zbarkim në gjuhën shqipe përdoret për të treguar futjen e trupave nga ajri, deti apo toka në tokën e kundërshtarit.

Në fjalorin “Fjale.al”, fjala zbarkim shpjegohet kështu: “Futja e trupave dhe e armatimeve nga deti ose hedhja e tyre nga ajri në tokën e kundërshtarit ose në zonën e pushtuar prej tij për të bërë luftime e veprime të tjera ushtarake. Trupat e zbarkimit. Vendi i zbarkimit”.

Të njëjtin kuptim kjo fjalë e ka edhe sipas “Fjalorthi.com”.

“Zbark/ój folje jokalimtare; -óva, -úar zbres nga anija, nga aeroplani etj. në tokën kundërshtare për të bërë luftime a veprime të tjera ushtarake: zbarkuan nga deti (nga ajri); zbarkuan shumë marinësa; folje kalimtare; fut trupa e armatime për qëllime luftarake. / trajta pësore; zbarkóhem”.

Edhe në gjuhën angleze termi më i përafërt me “zbarkim” është “military landing operation” që i referohet dërgimit të trupave apo mjeteve ushtarake në një territor tjetër dhe jo brenda shtetit.

Më i matur paksa ishte ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se “njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut”.

Në fotografitë që postoi, megjithatë, u kujdes që të mos duket KFOR’i.

Misioni ushtarak i NATO’s, që është i vendosur këtu që nga viti 1999 me rol paqeruajtjen, tha se ka dhënë leje për operacionin ndërsa bëri me dije se do të merret me aspektin e sigurisë derisa ai të kryhet.

Automjetet e FSK’së gjithashtu janë shoqëruar nga automjetet e KFOR deri tek Ura në Ujman ku dyshohet se është mbytur 33-vjeçari nga Mitrovica që kishte ardhur në pushime nga Suedia.

KFOR tha se ky autorizim për FSK-në, i bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me “prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të lokalizuar një 33-vjeçar që dyshohet se ka hyrë në liqen disa ditë më parë”.

“Autorizimi është i kushtëzuar nga kërkesat specifike të përcaktuara nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit”.

Misioni i KFOR ka sqaruar se përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit bie nën mandatin e FSK-së për kujdes ndaj komuniteteve lokale në rast të fatkeqësive.

“Përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin e FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, përfundon njoftimi i KFOR-it./Express/