Mungesa e konsituimit të Kuvendit të Kosovës, përveç dëmeve që po shkakton në aspektin legjislativ, ka vështirësuar edhe mbajtjen e pozicioneve ekzekutive në detyrë që kanë rëndësi në politikën e jashtme të vendit dhe shtyrjen përpara të agjendave dhe lidhjen e bashkëpunimeve.
Në Stamboll të Turqisë, ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve të rajonit u mblodhën në një një takim të nivelit ministerial që u thirr nga ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, më 26 korrik. Mirëpo, në mesin e ministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk u pa ministrja kosovare në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz.
Seanca konstituive e së shtunës e la atë pa marrë pjesë në një Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës së Paqes në Ballkan – gjë që bëri që Kosova të përfaqësohet nga ambasadori i Kosovës në Stamboll, Agon Vrenezi.
Në këtë takim nuk ishte as homologu i saj nga Shqipëria, Igli Hasani, në mesin e ministrave të shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor. Por në vend të tij e pranishme ishte zëvendësministrja Silda Anagnosti Çepe.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në një përgjigje për KALLXO.com tha se arsyeja e vetme për mungesën e ministres Gërvalla “të mbajtur më 26 korrik në Stamboll, ishte angazhimi i saj institucional në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, që u mbajt po atë ditë në Prishtinë”. Mirëpo, edhe përpjekja e fundit për konstituim të Kuevndit e bërë natën vonë dështoi.
Përveç një takimi të përbashkët në tryezë të rrumbullakët me të gjithë përfshirët Agon Vrenezin e zëvendësministren e Jashtme të Shqipërisë, Silda Anagnosti Çepe, ministri i Jashtëm turk ka publikuar takime tete-a-tete vetëm me ministrat e tjerë, në bazë të fotografive të postuara nga Ministria e Jashtme e Turqisë.
Ky takim ishte orgaizuar për të forcuar lidhjet politike dhe ekonomike, duke diskutuar mundësi konkrete për bashkëpunim në fusha të tilla si lidhja e infrastrukturës, tregtia, energjia, kultura dhe mbrojtja e mjedisit.
Në takim u vendos që në të ardhmen kjo platformë të mblidhet edhe në nivel liderësh, me mbledhjet që do të zhvillohen rregullisht çdo gjashtë muaj në Stamboll.