Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, ka prezantuar sot pikën e dytë të Platformës Kombëtare Shqiptare, e cila fokusohet në politikat ekonomike si themel të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
„Ne besojmë fuqimisht se një ekonomi e fortë dhe e drejtë është shtylla kryesore e zhvillimit kombëtar. Përmes mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme, përkrahjes së investimeve nga diaspora dhe reformës në administratën publike, po krijojmë rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë për çdo shqiptar,“ theksoi Taravari.
Sipas komunikatës së partisë, përmbajtja kryesore e kësaj pike të platformës përfshin:
Lehtësim fiskal për bizneset e vogla dhe të mesme – me qëllim nxitjen e sipërmarrjes dhe krijimin e vendeve të punës.
Investime nga diaspora shqiptare – duke krijuar kushte ligjore dhe fiskale të favorshme për përfshirjen aktive të diasporës.
Zhvillim rural dhe agroturizëm – për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin e zonave rurale.
Menaxhim i drejtë i pasurive natyrore – me privatizim të kontrolluar që garanton përfitime për shtetin dhe qytetarët.
Reforma në administratën publike – digjitalizim, ulje të burokracisë dhe rritje të transparencës.
Platforma Kombëtare Shqiptare, sipas Aleancës për Shqiptarët, përfaqëson një orientim politik kombëtar dhe konservator. Zbatimi i detajuar i këtyre politikave do të konkretizohet në programin politik të partisë, ku do të përcaktohen masat, afatet dhe mekanizmat institucionalë për realizimin e tyre.
Aleanca për Shqiptarët ka falënderuar qytetarët për besimin dhe i ka ftuar të gjithë të mbështesin këtë proces për një të ardhme më të mirë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
tag_katrorimaqedoni_2
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...