Një shtetas kinez u arrestua në Bor të Serbisë, me dyshimin për ndërmjetësim në prostitucion, njoftoi policia më 28 korrik.
Policia e Borit tha se 28-vjeçari S.Z. dyshohet se ka sjellë gra nga Indonezia në Serbi në korrik për t’u angazhuar në prostitucion, raportoi agjencia e lajmeve Beta.
Ai u urdhërua të mbahet në paraburgim deri në 48 orë dhe do të çohet në zyrën e prokurorit kompetent.
Policia gjithashtu ngriti padi për kundërvajtje kundër tre grave indoneziane me dyshimin për përfshirje në prostitucion. Ato u çuan në Gjykatën e Kundërvajtjeve në një procedurë të shkurtuar.
Radio Evropa e Lirë raportoi më parë për një rast tjetër kundër një shtetasi tjetër kinez të akuzuar për trafikim njerëzor. Ai u arrestua gjithashtu në Bor në mars të vitit 2024.
Sipas Raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Trafikimin e Personave për vitin 2024, qeveria serbe “nuk i përmbush plotësisht standardet minimale” për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, por thuhet se po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë.
Në një raport të Iniciativës Globale për të Luftuar Krimin e Organizuar Transnacional (GI-TOC), Serbia njihet si një “burim, tranzit dhe destinacion” për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore.