Kapiteni dhe portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, ka deklaruar se marrëdhënia e tij me klubin mbetet e mirë, pavarësisht raportimeve të shumta që pretendojnë të kundërtën. Veterani gjerman do t’i nënshtrohet një operacioni të martën për të trajtuar dhimbjen e vazhdueshme të shpinës.
Ter Stegen aktualisht po udhëton drejt Bordosë në Francë, ku do të operohet nga mjekja Amelie Leglise.
Është raportuar se Barcelona është irrituar me portierin pasi ai njoftoi se do të mungojë tre muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale – ndërkohë që ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar se mungesa e tij mund të zgjasë edhe më shumë, deri në katër muaj.
Nëse ndodh kjo, Barcelona mund të përdorë 80% të pagës së tij për të regjistruar lojtarë të tjerë sipas rregullit të dëmtimeve, por deklarata e ter Stegen mund ta komplikojë këtë proces.
Duke folur për Sport në aeroportin El Prat të Barcelonës, ter Stegen theksoi se marrëdhëniet me klubin janë të qeta:
“Marrëdhënia me klubin është e mirë, gjithmonë e mirë, e paprekur,” u shpreh ai.
Kur u pyet për gjendjen fizike, ai qeshi duke thënë: “Nëse duhet të bësh operacion, do të thotë se diçka nuk është në rregull, apo jo?”
Megjithatë, faktet tregojnë një panoramë tjetër. Diario AS raporton se ter Stegen ka udhëtuar vetëm në Francë, duke refuzuar shoqërimin nga stafi i Barcelonës. Po ashtu, klubet nuk lejohen të publikojnë informacione mjekësore për një lojtar pa lejen e tij, gjë që mund të pengojë Barcelonën të sqarojë publikisht kohën e rikuperimit pas operacionit.
Klubi megjithatë mund të dorëzojë një raport mjekësor në La Liga, e cila do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të vendosë nëse Barcelona mund të përdorë rregullin e dëmtimeve. Blaugrana po presin me shumë interes raportin mjekësor të Dr. Leglise, pasi ai mund të ketë ndikim të madh në planet e tyre./GazetaExpress/